Inxhinieri i software Enrik Shënepremte, e cilëson si propagandë të Kryeministrit klasifikimin e Shqipërisë si të parën në botë për sigurinë kibernetike.
Në një intervistë për MCN TV, ai deklaroi se përmirësimi është bërë në përafrimin me legjislacionin e Bashkimit Europian, ndërsa foli për mungesë kapacitetesh operative në raste sulmesh.
Kjo është një propagandë e Kryeministrit, e nxjerrë nga konteksti pasi indeksi merr si indikator legjislacionin, a i kemi ne strukturat e duhura dhe planifikimet për pjesën e teknologjisë në Shqipëri.
Qeveria shqiptare i dërgon dokumente MCSI dhe ai bën vlerësimin mbi bazën e dokumentacionit. Afera e AKSHI-t është një katastrofë e vërtetë për të dhënat e shqiptarëve, ka dalë çdo e dhënë. Madje të dhënat e shqiptarëve kanë dalë dhe shiten në tregun e zi.
Fillimisht u sulmua eAlbania, Kuvendi dhe Posta Shqiptare. Si mund të pretendojmë se ne jemi të parët për sigurinë kibernetike, kur ne këto sisteme i blejmë nga SHBA apo Izraeli.
Kapërcimi i vetëm është njehsimi i ligjeve me Bashkimin Europian, që kanë të bëjnë dhe me teknologjinë për sigurinë kibernetike.
Ne kemi ligjin shumë të qartë, por nuk kemi kapacitete operative në raste sulmesh, siç ishte rasti i hakerave iranianë.
Lidhur me denoncimin e tij për shitjen në treg të të dhënave tona nga grupi Homeland Justice, Shënepremte u shpreh se këto të dhëna përmbajnë pak a shumë të gjitha të dhënat e shqiptarëve.
Përmbajnë të dhëna që nga ID, tona, numrat e telefonit. Të dhënat tona kombëtare po shiten në tregun e zi dhe po blihen dhe nga aktorë të jashtëm, që mund të jenë armiq të Shqipërisë. Ermal Beqiri ka bërë nxjerrjen e të dhënave.
Ndër të tjera denoncoi se ndër bizneset e Ermal Beqirit ku ai ka 49% të aksioneve nuk figuron i regjistruar në QKB, inxhinieri shtoi se bëhet fjalë për një biznes që nuk është sekuestruar ende nga SPAK.
Dy biznese të tij vazhdojnë të jenë aktive dhe nuk ndodhen nën sekuestro, NSolution dhe Cyberfarm. Te Cyberfarm 49% të kuotave i ka Ermal Beqiri dhe pjesën tjetër një biznesmen tjetër.
Për vitin 2025, rezulton se kompania ka bërë xhiro 100 mijë euro dhe asnjë prej tyre nuk deklaron fitim real.
Ndërsa kompania NSolution që ndodhet në Tiranë dhe në pronësi 100% të Ermal Beqirit, gjatë këtij viti që ndodhet në arrati Beqiri firmos që ta kalojë kompaninë nga ai, te një punonjëse e tij e SoftSolution, e sekuestruar nga SPAK.
Ky biznes vazhdon veprimtarinë e tij, ndërsa ndaj këtij personi rëndojnë 12 akuza.
Për reagimet e vakëta ndaj dosjes “AKSHI” dhe rastin e Ermal Beqirit, nga ana e Partisë Demokratike, Shënepremte deklaroi, “Kam dyshime se dhe deputetë të PD janë të përfshirë në aferën e AKSHI-t.”



