Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan e ka shtrirë “gjuestinë e shtrigave” përtej kufijëve të Turqisë. Madje sipas gazetës greke, “Kathimerini” Erdogan ka një rrjet kundërshtarësh të mirëstrukturuar në të gjithë Ballkanin, sidomos në vendet me shumicë myslimane si Shqipëria, Maqedonia, Kosova dhe Bosnje Hercegovina. Gazeta greke shkruan se qeveria turke ka dorëzuar në këto vende të Ballkanit lista me emrat e personave të padëshiruar, që sipas saj, janë persona në nivele të larta qeverisëse, madje deri edhe në rang ministrash.
Rasti më flagrant i denoncimeve nga autoritetet turke, sipas “Kathimerini”, është ai i gazetarit kosovar Berat Buzhala, për të cilin ambasada turke në Prishtinë dorëzoi pranë autoriteteve një notë proteste. Por, ashtu siç është raportuar edhe më parë, qeveria e Kosovës e cilësoi si të papranueshëm këtë incident.
“Kathimerini” i referohet më konkretisht rastit të Shqipërisë, ku përmend edhe vizitën e Erdogan në Tiranë. Gazeta greke nënvizon momentin kur Presidenti turk konfirmoi se u kishte kërkuar autoriteteve shqiptare të mbyllnin shkollat që financohen nga lëvizja “Hizmet” të Gylen duke krijuar në këtë mënyrë një zhurmnajë të paprecedent në opinionin publik mbi marrëdhëniet shqiptaro-turke.
“Duke qenë se Rama nuk ia plotësoi kërkesën, Erdogan ka rinisur një sulm edhe më të ashpër duke mos e bërë këtë kërkesë vetëm për Shqipërinë, por edhe në vend të tjera si Madeqoni, Kosovë, Bosnjë e madje deri në Bullgari”– shkruan mes të tjerash gazeta greke.
Gjithashtu sipas “Kathimerini” në Bullgari do të shkojë vetë Ministri i Jashtëm turk për të dorëzuar listën e komplotistëve, ku thuhet se është përfshirë edhe një biznesmen i njohur.



