Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për biznesmenin Orest Sota, i cili është nën hetim në kuadër të dosjes së njohur si “Aruba”, ku po hetohet një grup i dyshuar për trafik ndërkombëtar të kokainës dhe pastrim parash.
Vendimi u shpall këtë të mërkurë, më 30 korrik 2026, nga gjyqtari Dhimitër Lara, i cili shqyrtoi ankimet e paraqitura nga disa persona nën hetim lidhur me masat e sigurisë të caktuara më herët nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë.
Apeli vendosi të miratojë urdhrin nr. 44, datë 14 qershor 2026, duke lënë në fuqi masën e sigurisë për Orest Sotën, D.A., Edmond Jaupin dhe Orges Birçaj. Po ashtu, u miratua edhe urdhri nr. 46, datë 17 qershor 2026, për Leonard Bishajn.
Në kuadër të të njëjtës dosje janë shpallur në kërkim edhe Artur Shehu, Ardian Rama, Erjon Rama, Elton Memeti, Luciano Koceku, Abedin Koceku, Arben Ismailaj, Alfredo Hamzai dhe Ardian Zykaj, ndërsa në Greqi është arrestuar biznesmeni Ilir Shtufi.
Sipas hetimeve të SPAK, grupi kriminal dyshohet se ishte i përfshirë në trafikimin e sasive të kokainës dhe në pastrimin e të ardhurave të përfituara nga aktiviteti kriminal. Vendimi i Apelit konfirmon masat e sigurisë të vendosura në fazën e hetimeve, ndërsa procedimi penal ndaj të dyshuarve vijon.



