
Kryedemokrati Sali Berisha deklaron se Jamarbër Malltezi është i burgosur politik prej Edi Ramës, sepse ai në emër të interesit politik, ka denoncuar ndër të parët, ndërtimin e sarajeve të tij në Surrel.
Me gjatësi themeli 57 metra të gjata, ndërkohë që pronari i tyre, Edi Rama, kishte të deklaruar në ILDKP 3800 euro dhe 400 mijë lekë, duke faktuar kështu se sarajet e Surrelit u ngritën mbi krimin, korrupsionin, larjen e parave.
Shtoj këtu se Jamarbër Malltezi, anëtar i Këshillit Kombëtar, kryetar i Departamentit të Mjedisit në PD, që mbahet i burgosur politik nga Edi Rama, i tmerruar prej tij, mbahet në burg sepse ka marrë në përputhje të plotë me ligjet e vendit, 140 metër tokë trashëgimi e pakontestueshme e familjes së tij, nga 1 miliard e 16 milionë metër katrorë tokë që qeveria e kryesuar nga Sali Berisha, iu ka kthyer pronarëve të ligjshëm gjer në fund të vitit 2012.
Ose ka marrë 140 metër tokë në përputhje me ligjet e vendit nga 54 milionë e 220 mijë metër katrorë truall, që qeveria e kryesuar nga Sali Berisha, u ka kthyer pronarëve legjitimë gjer në fund të vitit 2012.
Në një dalje për mediat ditën e sotme, Berisha tha se Rama me mashtrimet e tij provoi përfundimisht se ka urdhëruar burgosjen politike me çdo kusht të Jamarbër Malltezit, sepse ky i fundit, në mbrojtje të interesit publik, ka denoncuar me dhjetëra në mos qindra herë, betonizimin e Tiranës nga Edi Rama, të bazuar në korruptimin e tij nga ndërtuesit e kryeqytetit.
Edi Rama mban të burgosur politik Jamarbër Malltezin, sepse ai si anëtar i Këshillit Kombëtar të PD dhe kryetar i Komisionit të Mjedisit, është absolutisht ndër më të parët që ka denoncuar në dhjetëra e dhjetëra debate televizive dhe me më shumë se 382 statuse në Facebook e tij, aferën e inceneratorëve, vjedhjen e shekullit.
Është ai që ka denoncuar me dhjetëra e dhjetëra herë thjeshtrën e parë të vendit, vajzën e familjes Rama për dhjetëra tendera të fituar, në shkelje flagrante të Kushtetutës së vendit.
Rama mashtron trashë për të justifikuar krimin e tij. Ai thotë se e gjithë pjesa tjetër te tenisi, palestra, është leja që ka ardhur pasi është ndryshuar ligji i sportit.
Ligji atëherë ishte i qartë, nuk mund të ndërtohet në terrene sportive. Ligji u ndryshua dhe terrenet u ndryshuan, pohon Edi Rama.
Këtu, sipas tij, ndryshimin e ka bërë jo për shkak të xhepit, por për faj të ndryshimit të ligjit. Në këtë rast kemi të bëjmë me një gënjeshtër të bazuar 100 përqind në mashtrim.
Ligji për sportin, në asnjë gërmë, as dhe në frymën e tij, nuk ndryshoi destinacionin e terreneve sportive, por mundësoi ndryshimin e pronësisë kur ato ishin të ndërtuara mbi tokë private.
Dhe kishte mbi 1000 të tilla, ndoshta 1500.
Sipas tij, ligji ndryshoi me kushtin e prerë ligjor të ruajtjes së destinacionit sportiv.



