
Mund të konsiderohet rasti më i rëndë i varësisë nga interneti. Një familje e tërë në Salento ka qëndruar e izoluar për 2 vjet e gjysmë, për shkak të varësisë nga rrjeti. E vetmja që dilte nga shtëpia ishte vajza 9-vjeçare e familjes, e cila dilte për të shkuar në shkollë apo për të blerë ushqime. Lajmin e bën të ditur Gazzetta del Mezzogiorno.
Sipas saj, familja përbëhej nga dy prindër të rinj në moshë (mamja 43 dhe babai 40) dhe dy fëmijët: djali 15 dhe vajza 9 vjeçe. Fëmija i madh e kishte lënë shkollën, madje kishte rrezikuar të bëhej viktimë e lojës së rrezikshme “balena blu”.
Gjendja në të cilën jetonte kjo familje u zbulua pasi mësuesit ngritën shqetësimin e tyre për mënyrën se si paraqitej në shkollë vajza 9-vjeçare. Veshja dhe higjiena e mangët i shtynë shërbimet sociale të shkonin në shtëpinë e saj për kontrolle.
Djali 15-vjeçar i familjes u gjet në gjendje më të rëndë. Ai kishte infeksione në këmbë dhe mbante këpucë dy numra më të vegjël se këmba. Atij do t’i nevojitet asistencë mjekësore dhe fizioterapi për të vënë në lëvizje trupin e dobësuar nga mungesa e aktivitetit fizik.
Familja jetonte me një pension që merrte babai.
"Kemi thënë shpesh se rrjeti e ka përmirësuar jetën tonë, po ndodh të neglizhohet rreziku që ai fsheh. Drama që vjen nga Salento është shembulli që materializon paralajmërimet tona”, është shprehur presidenti i Urdhrit të Psikologëve të Pulias, Antonio Di Gioi.



