
Presidenti Bajram Begaj i është drejtuar sot deputetëve të kuvendit të Shqipërisë me një mesazh, me rastin e nisjes së sesionit të ri Parlamentar.
Ai është shprehur se modeli i zyrtarit duhet të jetë ai i llogaridhënies, ndërsa ka shtuar se korrupsioni vret shpresën për një të ardhme më të mirë. Ndër të tjera ai deklaroi se Çelja e negociatave me BE imponon përgjegjshmëri dhe përkushtim
Për mua si President i Republikës, bashkëpunimi me Kuvendin është jo vetëm përgjegjësi e përmbushjes së detyrës kushtetuese, por më shumë se kaq është shprehje e bindjes dhe e besimit se bashkërisht mund të shpalosim një dimension tjetër qasjeje dhe sjelljeje politike, në përputhje me atë që pret shoqëria shqiptare nga klasa politike dhe nga përfaqësuesit e zgjedhur prej saj. Marrja e vendimit të çeljes së negociatave me Bashkimin Europian, domosdoshmërish imponon për të gjithë ne, reflektim dhe më shumë përgjegjshmëri, seriozitet dhe më shumë përkushtim. Na duhet të jemi po aq europianë për nga vizioni dhe standardet e sjelljes politike, e cila të reflektojë pikërisht këtë realitet të ri të marrëdhënieve të Shqipërisë me Bashkimin Europian.
Begaj tha më tej se dialogu politik, gjithë përfshirja dhe konsensusi duhet të jenë lajtmotivi i punës parlamentare, sepse vendi nuk mund të paguajë koston e mungesës së tyre.
Të gjithë ne kemi detyrimin dhe përgjegjësinë të ofrojmë bashkëpunim konstruktiv dhe dialog të qëndrueshëm. Historia na ka treguar se kur reformat janë konsensuale, ndikimi pozitiv është i drejtpërdrejtë në integrimin e vendit, në ekonomi, në demokratizimin e institucioneve dhe në përmirësimin e cilësisë dhe standardeve të jetesës së qytetarëve. Fryma e bashkëpunimit, vendosmëria dhe kohezioni, janë thelbësore për të qenë gjithmonë prezent në punën tonë, si mbrojtës të interesave të vendit dhe të qytetarëve.
Sipas tij, reformat e mëdha dhe jetike për të ardhmen europiane të Shqipërisë, të inicuara me vullnetin e të gjitha forcave politike të përfaqësuara në Kuvend, kanë nevojë që të mbështeten edhe më shumë nga të gjithë ne, ndaj sfida e radhës do të jetë përafrimi i legjislacionit tonë sipas standardeve europiane, që të mund të jemi pararendës të përmbushjes së aspiratës kombëtare për Shqipërinë Europiane.
Korrupsioni frenon zhvillimin ekonomik dhe vret shpresën për një të ardhme më të mirë. Modeli i zyrtarit duhet të jetë ai i llogaridhënies, i respektimit të ndarjes së pushteteve, i respektimit të ligjit dhe përmbushjes së përgjegjësisë publike. Ne kemi detyrimin të mbështesim zbatimin e reformës në drejtësi, punën dhe rolin e çdo aktori institucional në ushtrimin e detyrave të tyre në luftën kundër korrupsionit për forcimin e besimit qytetar tek institucionet e drejtësisë.



