
Studiuesi Auron Tare u shpreh pro projektit të Sazanit duke dhënë argumentin se do të jetë një favor shumë i madh nga pikëpamja ekonomiko-turistike dhe politike për Vlorën dhe për të gjithë Shqipërinë.
Në studion e emisionit “Bilardo në MCN”, Tare tha se ishulli nuk do t’i jepet askujt dhe se ideja është që të ruhet koncepti historik i Sazanit, si kapsulë historike e jashtëzakonshme në të gjithë Mesdheun.
Gjatë bisedës së tij me gazetarin Denis Dyrnjaja, Tare tha se beson se projekti përfundimtar nuk do të jetë si fotoja që po qarkullon në media prej disa javësh duke shtuar se do të ndiqet një koncept siç është përgatitur plani i menaxhimit.
Nuk ishte ideja e francezëve, ishte një ide e përbashkët e grupit. Ata mendonin se ishulli duhej ruajtur, ashtu siç mendoja dhe unë, për ta ruajtur Sazanin si një lloj parku historik, pasi vlera të biodiversitetit Sazani nuk ka.
Propozimi ynë ishte që ishulli të ruhet, mundësisht të shpallej një park historik, të hapej për publikun se atë kohë ishte i mbyllur. Njerëz kanë lindur e kanë vdekur në Vlorë dhe s’kanë shkuar në Sazan dhe të krijohej mundësia e një investimi me faza. Ideja ishte të krijonim një qendër ekselente të kërkimeve detare ku të kishte kërkime shkencore mbi arkeologjinë detare, mbi marinën , ekosistemet, jeta alternative me ujin e shiut. Pra një qendër ekselente ku ne ndërkohë kishim bashkëpunim me dy institucionet më të famshme amerikane të kërkimeve detare të cilët ishin të gatshme të sillnin projektet e tyre në Sazan, dhe evoluimi i projektit të ecte me faza të ndryshme. Dhe pjesa turistike të vinte dalëngadalë dhe aty të kishte dhe godina turistike të nivelit të lartë. Sazani të mos ishte një projekt që bën disa vila, por të kthehej jeta si në periudhën komuniste, të kishte dhe godina turistike. E gjitha kjo të administrohej nga një agjenci publike në të mirën publike. Aty ka me mijëra objekte, një nga këto objekte të shndërrohej në një lloj universitetit ku të kishte kërkime shkencore mbi arkeologjinë detare, mbi marinën detare, ekosisteme.
Është nxitim t’i thuash ne po ja japin atij. Ne s’po japim asgjë. Nëse ndjekim logjikën, dhëndri i Trump-it ka shprehur një interes, pastaj fillon negociata që bën shteti shqiptar në dobi të publikut shqiptar. Ishulli nuk i jepet askujt. Të paktën kështu besoj, por do të ndiqet një koncept siç është përgatitur plani i menaxhimit. Nuk e kam lexuar fare propozimin që ka bërë. Unë kam qenë me ekipin që erdhi atje, edhe Kushner. E kam shoqëruar që nga Kepi i Rodonit e deri në Korfuz. Sepse ishte pjesë e një grupi miqsh, isha edhe unë aty. Kemi shkuar atje rastësisht. I kam çuar unë në Sazan sepse gjithë kësaj periudhe kohe ne kemi çuar në Sazan shumë njerëz të këtij niveli për t’i treguar fazën, zhvillimin. P.sh a mund të vini ju për krijimin e këtij laboratori arkeologjik?
Nuk mendoj se fotoja që ka qarkulluar do të jetë projekti final. Ky është një koncept i shpejtë do të thoja unë. Në bisedën paraprake që kemi bërë me grupin këtu e 2 vjet parë kemi folur shumë për konceptin historik të ishullit. Ideja ishte që godinat ushtarake, një pjesë e tyre që ishin të rrënuara të hiqeshin, një pjesë e tyre që ishin të mira të restauroheshin dhe të ktheheshin ën shërbim të një turizmi cilësor. Godinat historike italiane të restauroheshin siç kanë qenë dhe e gjitha kjo ishte pjesë e një vizioni më të gjerë për ruajtjen e ishullit. I gjithë grupi u impresionua nga e gjithë ajo kapsulë historike që kishte Sazani, shkollat, bankat, komitetit i partisë, kinemaja, mensa. Ishte një kapsulë historike e luftës së ftohtë. Nuk ka më në Mesdhe vende të tilla ku ti shkon dhe e prek luftën e ftohtë sidomos për amerikanët.
Unë jam pro se kam krijuar të gjithë konceptin, jua servira në një farë mënyrë këtyre njerëzve dhe më vjen shumë mirë që kanë shprehur një lloj interesi për t’u përfshirë dhe mendoj se nëse do të përfshihet ky grup financiar në Sazan, duke ndjekur në një farë mënyrë planin e menaxhimit të hartuar nga ekspertë shumë të mirë francezë dhe nëse qeveria shqiptare do t’i përmbahet për ta administruar. Deri tani jam shumë pro kësaj gjeje sepse e shoh si favor, një lloj interesi shumë të madh për Shqipërinë, si në pikëpamjen turistike, si në pikëpamjen politike. Në pikëpamjen ekonomiko-turistike do të jetë shumë e mirë për Vlorën dhe Shqipërinë. Në pikëpamjen politike do të jetë shumë e rëndësishme se grupet financiare përqark kësaj ideje janë shumë të rëndësishëm”.



