Dorëzimi i raketave iraniane në Rusi ka ndryshuar debatin në lidhje me përdorimin e raketave me rreze të gjatë veprimi të ofruara nga Perëndimi kundër objektivave brenda Rusisë nga Ukraina, ka thënë sekretari i jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy për BBC-në gjatë një vizite në Kiev.
Lammy udhëtoi për në kryeqytetin ukrainas me Sekretarin e Shtetit të SHBA Antony Blinken pas bisedimeve në Londër.
Ata u takuan me presidentin Volodymr Zelensky, i cili vazhdimisht u ka bërë thirrje aleatëve që të heqin kufijtë e përdorimit të armëve të furnizuara nga Perëndimi.
SHBA dhe Britania e Madhe nuk i kanë dhënë leje Ukrainës për të përdorur raketa me rreze të gjatë veprimi kundër objektivave brenda Rusisë nga frika e përshkallëzimit.
Presidenti i SHBA Joe Biden ka thënë se administrata e tij po shqyrton heqjen e kufizimeve, por ende asnjë vendim nuk është bërë publik.
Të mërkurën, Zelensky tha se fitorja e Kievit në luftën kundër Rusisë "varet kryesisht nga mbështetja e Shteteve të Bashkuara".
Lammy tha se Irani duke siguruar Rusinë me raketa balistike "ndryshon qartë debatin" pasi ato do të lejonin forcat e Moskës "të kenë depërtim të mëtejshëm në Ukrainë".
"Kjo është shumë e rrezikshme," tha Lammy, duke shtuar: "Ndërsa ne shohim rusët duke punuar me partnerët e tyre, ne shohim këtë transferim të raketave balistike nga Irani në Rusi, është e rëndësishme që ne të bëjmë më shumë për të mbështetur Ukrainën që të fitojë në përpjekjet e tyre".
Lammy tha se Mbretëria e Bashkuar do të ofrojë 600 milion paund ndihmë për Ukrainën për të mbështetur "nevojat humanitare, energjitike dhe stabilizuese" të vendit.



