
Përmbytjet si pasojë e reshjeve të shumta do të jenë një problem i përvitshëm. Paralajmërimi për situata të ngjashme me ato të ditëve të fundit edhe në vitet e ardhshme vjen nga kryeministri Rama. I pranishëm në mbledhjen e radhës të Komitetit të Koordinimit dhe Menaxhimit të Emergjencave Civile, Rama tha se këto janë pasojat e kushteve të klimës jo vetëm në Europë, por edhe në botë.
“Këto përmbytje nuk janë një herë në 100 vjet, por tanimë me sa duket janë pjesë e jetës sonë të përvitshme, apo dy tre vitshme, duke parë edhe kushtet e përgjithshme klimaterike jo vetëm të vendit, por edhe të rajonit, Evropës dhe të botës”, tha Rama. A
Kreu i qeverisë theksoi se në krahasim me vitin 2015, intensiteti i reshjeve është më i madh, por dëmet më të vogla.
“Reshjet kanë qenë të dendura dhe më të mëdha se ato të dy viteve më parë, por dëmet projektohen më të reduktura se kriza e dy viteve më parë dhe kjo falë investimeve të bëra në kanalizime dhe ujësjellës. Në bashki, përmbytjet nuk kanë sjellë situatën e 2015”, tha ai.
Rama tha se do të punohet me seriozitet për vlerësimin e dëmeve dhe hartimin e planeve të dëmshpërblimit.
“Fatura e zhdëmtimeve dhe kompensimeve duhet përgatitur me transparencën dhe seriozitetin më të madh, që askush nga njerëzit e prekur dhe familjet në nevojë të mos mbetet jashtë listës. Planet për rivendosjen e situatës normale të infrastrukturës duhen përgatitur me shpejtësi”, tha ai.



