Gazetari Robert Papa, autori i emisionit “Fokus” tha në edicionin e lajmeve në MCN TV se liderët e NATO-s që do marrin pjesë në Samitin e Uashingtonit janë të frikësuar nga debati i fundit në SHBA, dhe kanë nisur kontaktet me Trump-in. Sipas tij Biden është në pozicion të vështirë, ka probleme, dhe do të tërhiqet nga zgjedhjet presidenciale, por nuk dihet ende se si. Papa thotë se do ishte mirë që të kishte një përfaqësues të opozitës shqiptare në samit, ndërsa sheh si pozitive takimin e O’Brien me Presidenten Osmani.

"Lajmi kryesor në mediat amerikane është gjyqi për aktorin Baldwin, nuk është NATO. Është 75-vjetori, një aleancë e madhe. Biden kërkon të bëjë ‘damage control’. Do ketë takim sot pasdite me liderët. Ata janë të frikësuar nga debati i tij i fundit presidencial, dhe më shumë sytë i kanë te një e ardhme me Trump, që vazhdon me atë ‘NATO është vjetruar’. Natyrisht që do të ishte mirë që delegacioni shqiptar të kishte përfaqësues edhe nga opozita. Fakti është që opozitës i takon merita e hyrjes në NATO më shumë, por kjo tregon që politika është e ndarë. Një shenjë pozitive për mua është që James O’Brien, nr. 1 i Byrosë së Europës ka pritur Presidenten e Kosovës Osmani në një takim të veçantë dhe grupin raportues të NATO-s në lidhje me Serbinë. Kjo është në të mirë të çështjes kombëtare.
Dihet që do jenë 32 liderë, Biden thotë është merita ime, nuk është. Fakti që vende kanë filluar të paguajnë 2 përqindshin, por kanë 10 vjet që janë angazhuar dhe s’e bëjnë vende si Gjermania tregon që NATO mund të ketë probleme. Kryetarët e delegacioneve, edhe kryeministri ynë mund të kenë takime. Nuk kam parë gjë të publikuar nga DASH. Në atë sallë të madhe batuta mund të këtë dhe ato si vazhdimishisht do shiten si takime, me një shtrëngim dore”.
I pyetur sa të rëndësishme janë zgjedhjet në SHBA për ardhmërinë e NATO-s, Papa thotë:
"Rikthimi i Trump ka krijuar një problem të madh për aleatët, që kanë filluar të nisin edhe kontaktet jo haptas me Trump. I dinë qëndrimet e tij ndaj aleancës, ose do tërhiqet fare, ose s’do të mbështesë. Problematik është se Trump ka thënë që do ta zgjidhë me një ditë çështjen e Ukrainës. Si mund të zgjidhet me një ditë? Vetëm nëse do t’i lësh Rusisë ato toka që ka marrë. Trump ka thënë që nëse nuk paguani 2 përqindshin mos prisni që Amerika t’ju mbështesë dhe them që e mban këtë. Biden është në një pozicion shumë shumë të vështirë. Është njeri i sëmurë, me probleme mendore, ka gjasa të ketë parkinson. Ashtu si Trump s’donte të largohej nga pushteti në 6 janar edhe Biden nuk do të largohet nga pushteti. Jeton në një botë irreale. Personazhi i keq në këtë rast është gruaja e tij Jill Biden. Biden do të tërhiqet, kjo nuk ka diskutim, por se si është një problem i madh. Janë dy grupe, grupi i Obamës që kërkon ta largoje, dhe grupet e disave që përfitojnë nga korridoret e pushtetit, njerëzit që e rrethojnë që duan ta kenë. Do jetë e frikshme si do paraqitet Biden me takimet. Ka bërë 20 telefonata me liderë të NATO-s. Nuk është në ekrane, s’ka intervista live, tregon që ka probleme jo thjesht kognitive, por racionale, mendimi. I intereson Trump-it që të jetë Biden kandidat. Qëndrimi në garë i Biden do bënte që partia të humbte dy dhomat e kongresit. Them që do ta largojnë. Këtu thuhet që me Trump çështja e Kosovës merr një minus. Por në të mirë të amerikanëve, trendit botëror, do të ishte Trump. Biden në të kaluarën ka qenë më ne. Por ky s’është Biden-i që njoh unë, është një njeri i sëmurë. Demokratët po peshkojnë këtë vendosin nga guvernatorët. Vazhdojnë tentativat për t’iu afruar Michelle Obamës, çka mua më duket non sens”.



