Italia ka bllokuar një kompani shtetërore kineze që të marrë kontrollin e gjigantit të prodhimit të gomave Pirelli. Vendimi është pjesë e masave të shpallura nga qeveria italiane për të mbrojtur pavarësinë e Pirellit. Gjigandi kimik i kontrolluar nga Pekini, Sinochem është aksioneri më i madh i Pirelli-t, me 37% të aksioneve në firmën 151-vjeçare me bazë në Milano. Kjo vjen pasi tensionet midis Pekinit dhe Perëndimit janë shtuar ndërsa Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Antony Blinken viziton Kinën. Të dielën, Pirelli tha në një deklaratë për investitorët se qeveria italiane kishte vendosur që vetëm Camfin, një kompani e kontrolluar nga shefi i Pirellit, Marco Tronchetti Provera, mund të emëronte kandidatë për të qenë shef ekzekutiv. Pirelli tha gjithashtu se qeveria kishte vendosur që çdo ndryshim në qeverisjen e korporatave të kompanisë duhet t’i nënshtrohet një shqyrtimi zyrtar. Vendimi erdhi pasi Sinochem i tha qeverisë italiane në muajin mars se planifikonte të rinovonte dhe përditësonte një pakt ekzistues të aksionerëve. Administrata e kryeministres italiane Giorgia Meloni shqyrtoi marrëveshjen sipas të ashtuquajturave rregullat e “Procedurës së Fuqisë së Artë”, të cilat synojnë mbrojtjen e bizneseve që shihen si strategjikisht të rëndësishme për kombin. Në vitin 2015, Pirelli u shit për 7.1 miliardë euro një grupi investitorësh duke përfshirë ChemChina dhe Camfin. Gjashtë vjet më vonë ChemChina u bashkua me Sinochem në pronësi të shtetit.



