
Një person ha të paktën 50 000 grimca mikroplastike në vit dhe merr frymë nga ajri thuajse të njëjtën sasi, sipas një studimi.
Numri i vërtetë ka të ngjarë të jetë shumë herë më i lartë, pasi vetëm një numër i vogël i ushqimeve dhe pijeve janë analizuar për ndotje plastike. Shkencëtarët raportuan se pirja e ujit në shishe rrit konsumin e grimcave.
Ndikimet që ka mikroplastika në shëndetin e njeriut janë ende të panjohura, por dihet që mund të lëshojnë substanca toksike. Disa pjesë janë aq të vogla sa mund të depërtojnë në indet njerëzore dhe të shkaktojnë reaksione.
Ndotja mikroplastike krijohet kryesisht nga shpërbërja e mbeturinave plastike, të cilat janë kudo në të gjithë planetin: në ajër, në tokë, në lumenj dhe në thellësinë e oqeaneve.
Ato janë zbuluar në ujin e çezmës dhe të shisheve, në ushqimet e detit dhe në birrë. Për herë të parë ato u gjetën edhe në fecet njerëzore, çka konfirmoi se njerëzit i hanë grimcat.
Sipas hulumtimeve, të rriturit hanë rreth 50 000 grimca mikroplastike në vit, kurse fëmijët rreth 40 000.



