
Pas një sëmundjeje të rëndë prej së cilës vuante prej disa kohësh është ndarë nga jeta në moshën 80 vjeçare akademiku i njohur Kolec Topalli. I njohur për veprën e tij më të rëndësishme “Fjalori etimologjik i gjuhës shqipe”, ndarja nga jeta e Topallit është humbje për albanologjinë dhe botën studimore shqiptare. Vepra e Topallit “Fjalori etimologjik i gjuhës shqipe” është kurorëzim i punës 45 vjeçare të tij në fushën e albanologjisë.
“Vendosa t’i përkushtohem hartimit të këtij fjalori duke menduar se ai plotëson një zbrazëti në studimet tona etimologjike dhe do t’u shërbejë një mase të madhe lexuesish, jo vetëm gjuhëtarëve e pedagogëve, por edhe shkrimtarëve e poetëve, historianëve e gjeografëve, botanistëve e zoologëve, mjekëve e inxhinierëve, studentëve e nxënësve e deri njerëzve pa ndonjë arsim të veçantë, që duan të dinë burimin e fjalëve të gjuhës që flasin”, është shprehur akademiku Kolec Topalli në një intervistë të tij pak kohë më parë për TemA TV.
Akademiku dhe studiuesi Kolec Topalli ka lindur më 04 dhjetor 1938 në qytetin e Shkodrës dhe ka botuar një sërë veprash si Monografi, Vepra kolektive, Përmbledhje studimesh etj. Ai ka qenë anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, "Mësues i Popullit", studiues i gjuhës në Institutin e Gjuhësisë dhe Letërsisë pranë ASA-s, veprimtar publik dhe drejtues e funksionar në institucione të larta shkencore dhe zyrtare. Homazhet në nderim të akademikut Kolec Topalli do të mbahen në Akademinë e Shkencave më datë 25 maj 2018, nga ora 10:00-11:00, ndërsa ceremonia e përcjelljes do të zhvillohet në qytetin e Shkodrës në orën 14:00.



