
Duke nisur nga dita e sotme 1 shtatori, hyn në fuqi marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë lidhur me hyrjet dhe daljet, ku nuk do të kërkohet dokument për shtetasit e Kosovës dhe anasjelltas.
Duke folur nga pika kufitare e Bërnjakës, ministri i Brendshëm, Xhelal Svelça, deklaroi se kalimi po funksionon normalisht në Merdarë, në Muçibabë dhe në Dheun e Bardhë.
Në Jarinjë, nuk e kemi ende ndonjë veturë, e cila ka kaluar, por realisht mund të konkludojmë se autoritetet e Serbisë e kanë ndërprerë lëshimin e fletëve për hyrje-dalje për shtetasit tanë. Ky është një lehtësim i madh për shtetasit tanë, të cilët udhëtojnë për apo nëpër Serbi.
Një javë më parë, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshjen për dokumentet, pasi më herët e njëjta masë u aplikua edhe për Kosovën, me qytetarët serb.
Reciprociteti ishte parashikuar të niste më 1 gusht, ku dhe Kosova njoftoi se do të lëshonte dokumente për gjithë serbët që do të hynin në Kosovë, por edhe për targat.
Mirëpo tensionet nga pala serbe dhe vendosja e barrikadave bënë që qeveria e Kosovës ta shtynte hyrjen në fuqi të vendimit me një muaj.



