Gazetari Xhevahir Zhabina thotë se angazhimi në aktivitete të paligjshme u ka krijuar grupeve shqiptare kontakte në shumë vende të botës. Në një intervistë në emisionin “FactCheck”, Zhabina tha se ky fakt i pasqyruar në raportin e SPAK flet shumë për aksesin e grupeve shqiptare, sidomos në Amerikën Latine.

Lehtësitë që ofron ky vend për shkak të mosekstradimit. Plus jetesa e luksit që bëhet atje, duke mos pasur nevojë të deklarosh nga të vijnë të ardhurat. Dubai nuk mendoj se është një parajsë kaq e madhe. Disa personazhe janë sjellë në Shqipëri nga Dubai.

Ka qenë një procedurë ku Prokuroria e Posaçme nuk ka qenë e pranishme. Autoritetet e këtij vendi zgjodhën më mirë të ktheheshin në Shqipëri sesa t’u rrezikohej jeta.

Pastrimi i parave mund të jetë vepra me më shumë risk. Ne kemi parë se Tirana dhe zonat bregdetare janë zonat ku është ndërtuar më shumë. Kur vjen puna te hetimi i pastrimit të parave nuk është dhe aq e suksesshme.

Grupet kriminale shqiptare, lista e vendeve ku shqiptarët kanë kontakte sa vjen e shtohet. Nga Bolivia deri në Surinami. Fokusi i këtyre shqiptarëve të vendosur atje nuk është thjesht një rrogë. SPAK thotë në raportin e tij se shqiptarët janë të vendosur atje, kanë kontaktet e tyre.

Zhabina tha se zgjedhjet e 11 majit do të jenë gur prove për Prokurorinë e Posaçme dhe garancitë e hetimit të krimit zgjedhor.

Raporti i 2025 për krimin zgjedhor do të jetë shumë interesant. Prokuroria e Posaçme po heton dhe do të jetë raport interesat. Do ta kuptojmë pak më vonë. Jam i bindur se prokuroria e posaçme ka nisur disa hetime. Nuk mund të ngresh një strategji dhe të mos bësh asnjë hetim. Këto zgjedhje do të jenë një gur prove edhe për Prokurorinë e Posaçme dhe sa do ta hetojë ajo krimin zgjedhor. Le të kujtojmë këtu si y dështua me dosjet 339 dhe 184.

Në lidhje me bashkëpunimin e SPAK me autoritetet e vendeve të tjera, Zhabina tha se ai i shërben luftës kundër krimit të organizuar, për të cilën duhet një strategji e re.

Kjo tregon se shqiptarët janë të shpërndarë në të gjithë kontinentin. Duhet një strategji tjetër në raport me atë se si do të luftohet krimi i organizuar shqiptar. Duhet të presësh shumë dhe ne të gjithë e dimë se me çfarë hapash ecën krimi i organizuar. Me të njëjtin ritëm duhet të ecin edhe institucionet shqiptare. Në këto vende, shqiptarët janë të vendosur për shkak të trafikut të kokainës.

Me pushime në Peru një vit nuk mund të rrish. Shqiptarët janë të vendosur prej vitesh në Amerikën Latine. Një ish-ministër i qeverisë së Perusë ka qenë i vendosur në Tiranë dhe në atë kohë autoritetet peruane kërkuan informacion.