Partia Demokratike ngul këmbë në gabimet thelbësore të përkthimit të ligjit të vetingut. Një ditë pasi amabasadori amerikan, Donald Lu, tha se asnjë nga ndryshimet në përkthim nuk përbënte rëndësi thelbësore për ligjin, deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi shprehet se e kundërta është e vërtetë.
“Gabimet janë në dispozita thelbësore dhe gabimet janë thelbësore që çojnë në intepretime të gabuara me qëllimin e vetëm të merret një opinion që nuk vë në pah problemet që ka ky ligj.
Nuk bëhet vetingu dhe nuk pastrohet korrupsioni në gjyqësor dhe më pas në politikë, as duke bërë ligj antikushtetues me çfarëdo lloj bekimi kjo antikushtushmëri dhe as duke bërë manipulime në përkthim, aq më pak duke sulmuar opozitën siç bën kjo maxhorancë dhe kushdo tjetër. Këto janë fakte të provueshme kokëforta. Djalli qëndron në detaje dhe kësaj radhe qëndron në detajet e përkthimit”, tha ai.
Bylykbashi thotë se ka një tentativë për të manipuluar opinionin sikur PD-ja po përdor versionin më të vjetër të ligjit.
“Faktet tregojnë cila është e vërteta. Këto janë të vërteta që janë dërguar në Komisionin e Venecias. Këto fakte nuk lënë vend për këto intepretime. Përkthimi i dërguar më 16 tetor është ai që më pas vërteton edhe nga Gjykata Kushtetuese që është përkthimi i bërë nga Euralius duhet ta zgjidhin ata cila është e vërteta pas këtij manipulimi. Ne kemi konstatuar faktet, kemi pritur për më shumë se një javë pa e bërë publike për ta zgjidhur këtë çështje. Meqë ka një tentativë shumë të fortë që në mënyrë publike apo dhe nën rrogozë të manipulohet opinioni publik sikur gjoja PD po përdor një version më të vjetër nuk është e vërtetë. Ju e dini që PD i ka marrë gjithmonë 24 orët e fundit para miratimit të draftit në shqip dhe jo në anglisht. Këto janë faktet që duhet të investigoni ju se kush ka interesin dhe frikën. Në ligj vlen jo fjala, por dhe presja. Një fjalë e vetme para Gjykatës Kushtetuese mund të përfshijë paragrafë të tërë intepretimi kushtetues e për pasojë gabime kaq të rënda përpara një organi kaq autoritar si Komisioni i Venecias e çojnë këtë komision në drejtim të gabuar.
Kush kishte interes duhet gjetur dhe t’i vihet gishti”, tha Bylykbashi.
