
Harta e re gjyqësore që parashikon dhe shkrirjen e Gjykatës së Kurbinit, kundërshtohet dhe nga pushteti vendor në këtë zonë. Këshilli Bashkiak miratoi një rezolutë që do i përcillet qeverisë, Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor, me anë të së cilës kërkohet që të rishikohet harta e re gjyqësore.
Kreu i Dhomës së Avokatisë në Lezhë, Elton Laska, thotë se Gjykata e Kurbinit i plotëson të gjitha kriteret për të mos u mbyllur, ndërsa paralajmëron protesta nëse kërkesat e tyre nuk do të merren në konsideratë.
Referuar hartës së re gjyqësore të propozuar nga Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor, Kurbini do të bashkohet me Lezhën, por sipas grupeve të interesit, kjo do të sjellë rritje të kostove dhe mungesë shërbimi për qytetarët.



