
Covid rriti ndjeshëm rrezikun e sulmit në zemër, goditjeve në tru dhe vdekjes deri në tre vjet pas infektimit.
Ky rrezik shtohet veçanërisht pas një forme të rëndë Covidi, mes personave që u kontraktuan virusin origjinal të Sars-CoV-2 gjatë valës së parë, përpara mbërritjes së vaksinave.
Ky është përfundimi i një studimi të financuar nga Instituti Kombëtar Amerikan i Shëndetësisë (NIH) dhe i publikuar në revistën “Arterioskleroza, tromboza dhe biologjia vaskulare”, nga i cili del edhe një tjetër e dhënë: njerëzit me grupin e gjakut 0 duket se janë më të mbrojtur nga efektet serioze të Covid-19.
Studimet e mëparshme kanë treguar një probabilitet më të madh të ngjarjeve kardiovaskulare pas një infeksioni Covid.
Por rezultatet e reja, saktëson agjencia qeveritare, janë të parat që sugjerojnë se ky rrezik i shtuar mund të zgjasë deri në 3 vjet pas infektimit, të paktën për njerëzit që u infektuan gjatë valës së parë të koronavirusit.
Puna e re, shton NIH, është gjithashtu e para që demonstron se rritja e probabilitetit të sulmit në zemër dhe goditjes në tru pas një forme të rëndë të Covid-19 mund të ketë një komponent gjenetik që lidhet me grupin e gjakut.
Autorët vunë re se shtrimi në spital për Covid, dyfishoi rrezikun e sulmit në zemër ose goditjes në tru tek pacientët me gjak të grupit A, B ose AB, por jo tek ata me grupin 0.
Kjo për shkak se të kesh gjak të grupit 0 duket të jetë i lidhur në një rrezik më të ulët të Covid të rëndë.
Studimi përfshiu 10 mijë pacientë nga Biobank i Mbretërisë së Bashkuar, nga mosha 40 deri në 69 vjeç, nga të cilët 8 mijë kishin rezultuar pozitivë për koronavirusin pandemik dhe 2 mijë ishin shtruar në spital për Covid-19 të rëndë, midis 1 shkurtit dhe 31 dhjetorit 2020.
Askush prej tyre nuk ishte vaksinuar kundër Covid, sepse vaksinat nuk ishin ende të disponueshme asokohe.
Të dy grupet u krahasuan me një të tretë, i përbërë nga sfro 218 mijë persona që nuk ishin infektuar nga Sars-CoV-2 në atë periudhë.
Studiuesit monitoruan më pas pacientët në dy grupet e para që nga momenti i diagnostikimit të Covid-19 derisa ata zhvilluan një atak në zemër ose goditje në tru, ose vdiqën, për gati 3 vjet.
Duke marrë parasysh personat me sëmundje para-ekzistuese të zemrës, e barabartë me rreth 11% në të dy grupet, shkencëtarët llogaritën se krahasuar me ata që nuk kishin pasur kurrë Covid rreziku i sulmit në zemër, goditjes në tru dhe vdekjes ishte dy herë më i lartë në mesin e atyre që ishin infektuar dhe katër herë më i lartë tek ata që kishin pasur një formë të rëndë, që kërkonin shtrimin në spital.
Gjatë tre viteve të ndjekjes, probabiliteti i një ngjarjeje të madhe kardiovaskulare mbeti dukshëm më i lartë te personat që kishin pasur Covid.
Në disa raste, rreziku i sulmit në zemër ose goditjes në tru ishte i krahasueshëm, ose edhe më i madh se ai i shkaktuar nga një faktor i njohur rreziku kardiovaskular, siç është diabeti i tipit 2.
“Ky studim hedh dritë të re mbi efektet e mundshme afatgjata kardiovaskulare të Covid-19, i cili përfaqëson një kërcënim ende të rrezikshëm për shëndetin publik”, thotë David Goff, drejtor i Divizionit të Shkencave Kardiovaskulare në Kombëtare të Zemrës, Mushkërive dhe Gjakut.
“Duke marrë parasysh se më shumë se 1 miliard persona në mbarë botën janë infektuar tashmë me Sars-CoV-2, implikimi për shëndetin global të zemrës janë të rëndësishme”, paralajmëron Hooman Allayee, profesor i Shkencave të Popullsisë dhe Shëndetit, botuar në Universitetin e Kalifornisë Jugore.
Autorët theksojnë se rezultatet e punës vlejnë kryesisht për personat që janë infektuar me Sars-CoV-2 në fillim të pandemisë, ndërsa nuk është e qartë nëse rreziku i sëmundjeve kardiovaskulare vazhdon apo mund të vazhdojë tek ata që janë sëmurë rëndë me Covid nga viti 2021 e deri më sot.



