12 ditë pas vrasjes me armë zjarri pistoletë e cila i mori jetën në timon Ahmet Toskës, Policia Gjyqësore nga veprimet hetimore kishte arritur në identifikimin e një autori të dyshuar.
Në dosje thuhet “oficeri i policisë gjyqësore ka kërkuar kontrollin e vendeve, pasi kishte dyshime dhe informacion operativ se autor i kësaj ngjarjeje të ketë qenë i pandehuri Fatmir Hoxhaj". Sipas pretendimit të policisë, këto dyshime janë krijuar nisur nga fakti se sipas pamjeve filmike të sekuestruara, ka rezultuar se autori i ngjarjes është larguar në drejtim të një lagjeje, e më pas të një rrugice, midis disa banesave”.
Por cili ishte informacioni në rrugë operative?
Ditën e ngjarjes, vrasjes së shtetasit Ahmet Toska, Fatmir Hoxhaj ishte ndodhur në Shqipëri pikërisht në fshatin “Sheq i Madh”, ndërsa 72 orë më vonë ai ishte larguar nga Shqipëria drejt Italisë. Hoxha rezulton se prej vitesh jeton në Itali, ka pasaportë Italianë dhe një rezidencë zyrtare në shtetin Italian.
Pasi kontrollet policore nuk arritën ta gjejnë atë në fshat, u kërkua bastisja e banesës së Fatmir Hoxhajt.
“Mbi kërkesën e Prokurorisë datë 07.11.2020, me vendimin Nr.4355, datë 08.11.2020, Gjykata e Shkallës së Parë Rrethi Gjyqësor Fier ka vendosur lejimin e kontrollit të banesës nga ora 07:00-20:00 për shtetasit Fatmir Hoxhaj dhe Sabedin Hoxhaj. Sipas procesverbalit “për sekuestrimin e sendeve” datë 09.11.2020 ora 14:00 janë sekuestruar dy armë gjahu dhe lejet përkatëse të tyre, një thikë, një palë tuta sportive, një palë doreza të zeza, një kapuç fësh ngjyrë blu nga ana e jashtme, një kapuç i zi me veshje pambuku, një xhup i zi pa kapuç me zinxhir përpara, një xhup i zi me kapuç fesh.
Ndërsa referuar procesverbalit për “këqyrjen e sendeve” është specifikuar fakti se në banesën e shtetasit Fatmir Hoxhaj është gjetur: Një kapuç i zi me veshje pambuku, një kapuç fësh ngjyrë blu nga ana e jashtme, një xhup i zi pa kapuç me zinxhir përpara; ndërsa në banesën e shtetasit Sabedin Hoxhaj është gjetur: një xhup i zi me kapuc fesh, një palë doreza të zeza, një palë tuta sportive”.
Këto prova bindën hetuesit dhe oficerët në Fier të regjistronin si person të dyshuar për vrasje shtetasin Fatmir Hoxhaj dhe ta shpallnin atë në kërkim. Më 14 nëntor Fatmir Hoxha vjen nga Italia pasi ishte njoftuar për kontrollin e banesës dhe arrestohet në kushtet e flagrancës në aeroportin e Rinasit.



