
Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka bërë publik një vëzhgim paraprak të procesit zgjedhor. Në një postim në “Facebook”, KSHH vëren se orët e fundit pati një rënie të ndjeshme të numrit të votuesve në qendrat e monitoruara nga vëzhguesit e saj.
Në vëzhgimin e bërë në kryeqytet, KSHH ka konstatuar se:
Në QV nr. 1889/1 janë paraqitur 178 zgjedhës nga 907 zgjedhës që duhet të jenë në total
Në shkollën “Dëshmorët e Lirisë” në QV nr. 1830 kanë votuar 28% e zgjedhësve, përkatësisht 202 zgjedhës nga 718 në total.
Në 2 QV që po monitorohen nga vëzhguesi i KShH-së në Pallatin ‘Asllan Rusi’, respektivisht QV nr. 1887/1 dhe nr. 1887/2 rezultojnë të kenë votuar 378 zgjedhës, ndërkohë që po shqyrtohet nga ana e komisioneve mundësia e shtyrjes së orarit të mbylljes së votimit me një orë. KShH po verifikon këtë informacion pasi KQV shtyn procesin e votimit pa orar, vetëm në rast se në kohën e mbylljes së tij ka persona prezent në ambientet jashtë QV, për të mundësuar votimin e këtyre të fundit.
Rreth orës 18:44 pranë shkollës ‘Vasil Shanto’, në QV nr. 1840 është vërejtur një rritje e numrit të votuesve me rreth 50 votues në një hark kohor prej 1 orë.
Parregullsitë e evidentuara nga vëzhguesit e KSHH
Rreth orës 15.45, në QV nr. 1844/1 pranë shkollës ‘Besnik Sykja’ vëzhguesi i KShH-së ka depozituar vërejtje në mënyrë të përsëritur, për shkak se në këtë QV është konstatuar hyrja e personave të paautorizuar, gjë që përbën cenim të nenit 110 të Kodit Zgjedhor. Vërejtjet e depozituara nga vëzhguesja nuk janë protokolluar dhe anëtarët e Komisionit, të cilët nuk kanë rënë dakord mbi detyrimin që kanë për ta protokolluar vërejtjen, detyrim ky i parashikuar në nenin 41 të Kodit Zgjedhor. Në këto kushte, vëzhguesja ka depozituar përsëri vërejtje për mosrepsektim të dispozitave të Kodit Zgjedhor për protokollimin e vërejtjeve me shkrim.
Në QV nr. 18041, pranë ZAZ nr. 34, vëzhguesi i KShH adresoi vërejtje me shkrim për shkak se 1 zgjedhës që po votonte u tentua të ndihmohej pa vullnetin e tij nga një person tjetër duke bërë që në dhomën e fshehtë të qëndronin 2 persona.
Vërejtja me shkrim e vëzhguesit të KShH-së për mosrespektimin e plotë të procedurës që duhet të ndiqet në rastet kur zgjedhësi nuk mund të votojë vetë për shkaqe shëndetësore, nuk është marrë në konsideratë nga ana e Komisionit të QV nr. 1889/1 pranë Njësisë nr. 7.
Mbyllja e qendrave të votimit të monitoruara nga vëzhguesit e KShH-së në qytetin e Tiranës
Procesi i votimit në qytetin e Tiranës u mbyll në orarin e përcaktuar, megjithatë pati QV si p.sh. nr. 1828/1 pranë Shkollës Dëshmorët e Lirisë, ku në orën 18.11 është vijuar me numërimin e fletëve të papërdorura nga pakot, ndërkohë që vendimi për mbylljen e procesit nuk ishte marrë dhe sipas Kodit Zgjedhor kjo është një procedurë që duhet të realizohet pas mbylljes së qendrës së votimit, e cila si rregull mbyllet në orën 19:00. Pas mbylljes së QV nr. 1867, në shkollën "Musine Kokalari", vëzhguesi ka vërejtur se anëtarët e Komisionit janë të konfonduar nëse duhen numëruar fletët e votimit të papërdorura. Vëzhguesja ka referuar vërejtje në lidhje me numërimin e fletëve të dëmtuara dhe të papërdorura, si rrjedhojë vërejtja është marrë në konsideratë dhe është realizuar një tjetër numërim i tyre



