Kryetari i Shoqatës së Taksive Gëzim Bardhi tha në edicionin e lajmeve në MCN TV se Bashkia e Tiranës ka bërë ndryshime ligjore për të favorizuar kompanitë, duke rënduar pozitën e 1300 taksistëve individualë, që mbajnë familjen me këtë punë.
Bardhi vuri në dukje se kryebashkiaku Erion Veliaj nuk i ka thirrur kurrë për diskutime përfaqësuesit e taksive. Ndër të tjera ai kundërshton fiskalizimin, ku taksistëve individualë do t’u kërkohet xhiroja dhe do të përfshihen në TVSH.

"Në treg konkurrojnë edhe taksitë e palicencuara. I zhveshën nga emrat, logot, dhe sërish janë me targa të bardha në treg. Numri i taksive në Bashkinë e Tiranës ka arritur rekord botëror. Janë 2300 taksi të licencuara në 1 milion banorë. E kuptoni raportin taksi/qytetar sa është. Ne jemi 25 vite që punojmë mbajmë familjen me një taksi. U liberalizua në kohën e të ndjerit Olldashi. Ajo që të shqetëson është se si është e mundur që një kompani të licencohet, dhe të nesërmen nxjerr një njoftim që duam shofer. Që një taksi të licencohet tamam duhet të ketë edhe drejtuesin e mjetit, duhet të regjistrohen dy shoferë. Ashtu siç licencohemi ne që kemi një makinë, paraqesim një dokumentacion në bashki, e para patenta, dhe dëshmia e taksistit. Është e paimagjinueshme që një njeri që sapo merr patentën, fillon dhe punon direkt si taksist. Nuk quhet konkurrencë e ndershme që një makinë 35 mijë euro, të më konkurrojë mua me makinë 5 mijë euro. Vazhdohet dhe ndryshohen nene vetëm për të favorizuar kompanitë. Duke e mbushur tregun vetëm me kompani...Veliaj thotë flota jonë. Flota e kujt është?!
Këto ndryshimet ligjore i bën bashkia. Ka shumë kompani, janë 85 kompani. Kush është ai budalla që e nxjerr emrin që kompania është e imja. Veliaj s’na ka thirrur asnjëherë ne si përfaqësues të taksive. Votat për bukuri i do! Babëzia ka arritur kulmin. A është politikë sociale kjo? I ulin çmimet i bëjnë si i do qejfi. Flasin shumë, që pastrojnë lekë. Ne na rëndon sepse jemi 1300 taksi individuale. 1300 familje që mbahen me këtë biznes të vogël. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, na ka dërguar një njoftim, ku na kërkon xhiron, do na fusin ne në TVSH! Pse duhet të jemi ne e fiskalizimit?! Nuk na mjafton stresi i rrugëve të Tiranës?! Këshilli Bashkiak mund të thoshte mjaft kur të donte. Duke e tejngopuar tregun me makina luksi, duke i rritur kaq shumë, do na detyrojë ne të dorëzojmë licencat, dhe të punojmë ne për kompanitë e tyre!”



