Këshilltarja e Partisë Demokratike në bashkinë Tiranë, Alba Kepi, protestën e sotme para bashkisë e sheh si të kërkuar nga qytetarët dhe se nëpërmjet saj denoncohen aferat korruptive të bashkisë së kryeqytetit.
Në një intervistë për edicionin e lajmeve në MCN TV, Kepi tha se bashkia Tiranë në një ditë normale pune i vuri zinxhirët dyerve të saj dhe se në këtë mënyrë kuptohet mënyrën arrogante ndaj qytetarëve të kryetarit të bashkisë dhe gjithë atyre që punojnë në bashki.
Protesta ka një kërkesë të drejtë dhe të duhur nga qytetarët. Po denoncohet një aferë korruptive, një sistem që vjedh xhepat e qytetarëve dhe pasuron drejtuesit.
Po krijon dhe kompani biznesi për të përfituar duke vjedhur fondet publike dhe qytetarët.
Ajo që i ka munguar Shqipërisë vit pas viti, është se ka një lloj apatie të shoqërisë.
Shumë herë është parë se mjaft organizata janë korruptuar nga sistemi dhe Partia Socialiste.
Është një lloj sistemi që është konsoliduar vit pas viti nga kjo lloj qeverisje.
Pjesëmarrja në protestë mund të jetë më e madhe por unë mendoj se ata njerëz që janë aty janë më kurajozë, se nuk kanë frikë nëse i heqin nga puna. Janë shembull për tu marrë.
Skenari ka qenë si në çdo lloj proteste, të jemi aty në protestë, por të tregojmë dhe qytetari.
Protesta nëse zgjat dy orë apo 10 orë, pak rëndësi ka. Rëndësi ka mesazhi që përcjell.
Nëse ambasadat reagojnë dhe marrin në mbrojtje ata që vjedhin dhe janë të korruptuar, po marrin në mbrojtje atë që është e pambrojtshme.
E pyetur se cili është skenari i protestës së të martës kur mblidhet Këshilli Bashkiak, Kepi foli për një rend dite të zakonshëm, ndërkohë që po përballen me një afere të tillë korruptive siç është dosja “5D”.
Duhet transparencë për të dëgjuar se çfarë ka ndodhur. Kërkojmë një mbledhje urgjente enkas për të kuptuar se çfarë po ndodh me bashkinë për skandalin “5D”.
Kemi kërkuar dhe ngritjen e një komisioni për auditim me fondet që jep bashkia në mënyrë klienteliste që i shërbejnë pushtetit.
Ne pretendojmë të nisim mbledhjen me kërkesat tona, të shohim si do të vijojë dhe nëse kryetari i bashkisë do të jetë aty.
Sa i takon fakteve të reja të paralajmëruara në protestën e sotme që faktojnë lidhjen e bashkisë me vdekjen e Ardit Gjoklajt, Kepi bëri të ditur se ka një grup specialistësh që po punojnë ditë pas dite për zbardhjen e fakteve të reja për rastin dhe afera të tjera korruptive ku përfshihen hetimet e antimafias italiane apo vendeve të tjera që përfshijnë emra të lidhur me bashkinë e Tiranës apo zyrtarë të lartë të qeverisë.
Nëse anë marrë ndonjë informacion nga SPAK nëse Erion Veliaj është nën hetim për çështjen e inceneratorëve dhe aferën “5D” për të cilën akuzohet, Kepi tha se pikërisht mungesa e një sistemi drejtësie të pavarur është ajo që i mungon Shqipërisë.
Sistemi i drejtësisë merr urdhra nga politika.
Nëse Veliaj është nën hetim, nuk kërkohet vetëm thirrja për tu marrë në pyetje nga SPAK por një hetim konkret për kryebashkiakun për firmën e hedhur prej tij për një vepër madhore si inceneratori dhe dosja “5D” që ka përfshirë pesë drejtorë të lartë.
Hetimi nuk po nis ndaj Veliajt pasi mendoj se drejtësia është e pilotuar nga politika.



