Problematika e përmbytjeve në qarkun e Shkodrës ka qenë në fokus të emisionit “Fol” në MCN TV. Kryeplaku i fshatit Kuç, njësia administrative Guri i Zi, Kujtim Toka, tha se fshati është bllokuar për 20 minuta nga shkarkimi i hidrocentraleve. Sipas tij shkarkimet duhet të kenë qenë mbi 4000 metër kub për sekondë, pasi me mbi 2000 metër kub s’do kishte pasur përmbytje. Kryeplaku tha se uji ka qenë mbi 80 cm, dhe nuk ka pasur asnjë njoftim apo paralajmërim për situatën.
25 vite kam kryeplak, është nga fshatrat më të mira të njësisë administrative Guri i Zi. Por ka një të keqe që për 20 apo 30 minuta gjithë mundin ta merr lumi. Shiu ka filluar që nga data 15. Kanë filluar shira të fuqishme dhe s’ka pasur asnjë ditë shkarkime në lumin Drin. Shi ka pasur shumë, por s’ka qenë fshati i bllokuar, jemi bllokuar për 20 minuta nga shkarkimet e hidrocentraleve. Kuçi për t’u përmbytur do mbi 2000 metër kub ujë. Shkarkimet atje mund të kenë qenë mbi 4000 metër kub për sekondë. Ne jemi të rrethuar nga dy lumenj, Kiri dhe Drini. Drini është i komanduar, ndërsa Kirit s’kanë çfarë t’i bëjnë. Ata kanë lëshuar edhe Drinin, jashtë mase, jashtë normative. Fati ynë është që s’ka qenë shumë e rritur Buna. Janë 176 ha tokë. Është i vetmi fshat në njësinë administrative që merret me bujqësi dhe blegtori. Të gjithë të rinjtë janë larguar. Mosha ime ka mbetur. Janë 60-70 shtëpi që kanë pasur mbi 80 cm ujë. Me atë ujë të prishet jeta, ekonomia. Njerëzit humbin të mirat e jetës, të gjitha të mirat materiale, shkojnë për një gjysmë ore. Unë s’i kryeplak i fshatit s’kam pasur asnjë njoftim, kam frikë se as administratori, as kryetari i bashkisë. Këtu ka mbaruar gjithë baza ushqimore, misër, grurë, silazh, foragjeret, kanë dalë jashtë funksionit. Kërkoj në emër të banorëve, nëse këtu s’ndërhyn pushteti qendror, të bëjë verifikimin e dëmeve shtëpi më shtëpi....Pushteti lokal është munduar me mundësitë që ka pasur. Njeri nga pushteti qendror s’ka ardhur. Me 2000 metër kub s’na vjen uji në shtëpia, kjo ka qenë katastrofë. Sa erdhi Sali Berisha, u ndalua uji”.
Një tjetër banor, Muhameti tha se ushtria ka qenë në vendngjarje, por askush s’është kujtuar t’u japë banorëve një shishe ujë.
Shtëpinë e kam blerë para 30 vitesh. I ka bërë Enver Hoxha që në 79-tën. Është fshat i vjetër. Ka qenë një ujë katastrofal, shumë i shpejtë, s’na ka premtuar koha për të ndërmarrë asnjë lloj mase. Erdhi ushtria, ka nxjerrë shumë njerëz me gomone me makina. Por s’i si ra kujt ndërmend për një bidon ujë, një shishe ujë. Erdhi operativi mori familjen. Kam pasur mbi 70 cm ujë. Të vijë komisioni të bëjë vlerësim real. Kam marrë në 2010-ën 4 milionë e gjysmë lekë. Në vitet e tjera s’kemi marrë asnjë gjë. Kanë ardhur disa komisione të vogla të vlerësojnë me demek, por pastaj është harruar çdo gjë. As zgjidhje afatgjatë, as afatshkurtër, fëmija po s’qau s’i jep nëna për të ngrënë!”.
Ndërkaq, banori Altin Shahini tha se përmbytjet kanë ardhur nga keqmenaxhimi i hidrocentraleve që shihen nga pushtetarët si makineri që prodhon para.
Kam menduar emigrimin 15 vjet. Gjithmonë përmbytjet kanë ardhur nga keqmenaxhimi i hidrocentraleve. Lajmërimi ishte të paktën 4 orë me vonesë, që do shkarkohet. Ishin hapur dy porta në Koman. Hidrocentrali u la sepse nuk u prodhuar energji ditë më parë, ose nuk u bënë shkarkime duke e ditur që do të vijnë këto shira, këto prurje. Fatkeqësia është e jona që kemi kështu drejtues. Nuk është fatkeqësi natyrore. Shpresoj që një ditë të merren masa, të vihen njerëz të përgjegjshëm, inxhinier. Hidrocentralet shihen nga pushtetarët si makineri që prodhojnë lekë, për ne është shkatërrim prone, nervash, sepse s’kemi kurrfarë shprese”.



