Uashingtoni akuzoi Pekinin për “rrezikim” të sigurisë rajonale pasi forcat e armatosura të Kinës njoftuan stërvitje të reja në shkallë të gjerë në ngushticën e Tajvanit për të dytën ditë radhazi.
“Edhe një herë, aktivitetet ushtarake agresive të Kinës dhe retorika ndaj Tajvanit nuk bëjnë gjë tjetër veçse përshkallëzojnë tensionet dhe rrezikojnë sigurinë rajonale dhe prosperitetin global", tha Departamenti Amerikan i Shtetit në një deklaratë të lëshuar nga zëdhënësja, Tammy Bruce.
Forcat e armatosura të Kinës njoftuan të mërkurën se kishin filluar stërvitjet e reja ushtarake në shkallë të gjerë në ngushticën e Tajvanit, një ditë pas stërvitjeve për të bllokuar ishullin, të cilin Pekini e konsideron një provincë kineze.
“Stërvitjet e reja synojnë të testojnë aftësitë e trupave në bllokadën dhe kontrollin e zonave, si dhe të kryejnë “goditje precize mbi objektivat kryesore”, shpjegoi Shi Yi, zëdhënës i Komandës së Teatrit Lindor të ushtrisë kineze.
Ato po mbahen në sektorët qendrorë dhe jugorë të ishullit, e cila është një rrugë detare me rëndësi vendimtare për tregtinë globale.
Autoritetet kineze kanë intensifikuar ushtrime të tilla vitet e fundit, duke vendosur avionë ushtarakë dhe anije luftarake të llojeve të ndryshme rreth Tajvanit, duke mbështetur efektivisht pretendimin për ishullin, të cilin qeveria aktuale në Taipei e refuzon.



