
Në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, kryeministri Rama i bëri sërish thirrje opozitës të bashkëpunojë për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri. Rama i kujtoi opozitës së maxhoranca i ka numrat për të zgjedhur prokurorin e përkohshëm.
“Ne e kemi qartësisht mundësinë dhe të drejtën për ta zgjedhur prokurorin e përkohshëm me shumicën që kemi në dispozicion, por ashtu si kishim mundësinë të hynim në zgjedhje pa i shtrirë dorën opozitës dhe nuk e shfrytëzuam atë në emër të diçkaje më të madhe që është interesi kombëtar, sot përsëri ne jemi me syrin e momentin jo me qëllime të tjera përpos qëllimit strategjik”, tha ai.
Duke iu drejtuar kreut të PD-së, Rama e ftoi atë të marrë përgjegjësinë e udhëheqjes së opozitës në drejtimin e duhur.
“I lutem shumë Lulzim Bashës ta dëgjojë mirë këtë mesazh dhe të marrë të gjithë përgjegjësinë e udhëheqjes së opozitës në drejtimin e duhur që është çelja e negociatave, janë proces i gjatë, sa më shpejt të çelen aq më mirë është dhe për çdo forcë që aspiron të qeverisë këtë vend duke qenë sot në opozitë”, tha ai.



