
LDK merr Prishtinën pas tetë vitesh me Përparim Ramën i cili ka mundur të fitojë me 51.07 % të votave ndaj ish ministrit të shëndetësisë Arben Vitia të Vetëvendosjes me 48.93%, duke i shkaktuar kësisoj Albin Kurtit një disfatë të thellë, teksa humb kryeqytetin.
Por tash, pas gati 29 vjetësh, Përparimi që në Angli kishte shkuar si refugjat, Kosovës pritet t’i kthehet si arkitekt me famë botërore e që ka fituar shumë çmime në arkitekturë.
Rama do të udhëheq Komunën e Prishtinës pas rezultatit të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale që do u mbajtën ditën e djeshme.
Veprat e Përparim Ramës kanë bërë që për arkitektin kosovar të interesohen edhe mediat më të mëdha botërore.
Po kush është PËRPARIM RAMA?
Përparim Rama, i lindur më 20 janar 1976 në Prishtinë, në moshën 16 vjeçare,në vitin 1992, u shpërngul në Britani të Madhe, ku edhe përfundoi studimet për arkitekturë.
Jeta në Kosovë në fillim të viteve 90 nuk ishte aspak e lehtë për të, i cili ka treguar kohë më parë se i ati kishte marrë borxh 3000 marka të asaj kohe, për biletën e avionit dhe i kishte dhenë pak para me vete. Shkaku i situatës së rënduar politike, Britania e Madhe ia kishte pranuar Ramës kërkesën për azil, aty ku vazhdoi jetën dhe shkollën.
Përparim Rama është arkitekt dhe artist konceptual, i cili i shëndrron idetë në hapësira.
Rama është themelues i 4M Group me seli në Londër, përgjegjës për menaxhimin e projekteve dhe për planifikim të zhvillimit. Projektet e tij përfshijnë rezidenca luksoze deri tek ato komerciale, nga hotelet luksoze deri tek planifikim urban. Mediat si London Building Design Magazine, CNN, BBC, RAI, gazeta The Time, i kanë kushtuar artikuj punës arkitekurore të Ramës.
“Emri im është Përparim Rama dhe unë kërkova azil në Britaninë e Madhe në vitin 1992. Jeta në Kosovë nuk ishte aspak e lehtë. Të gjithë të rinjtë e asaj kohe merreshin me dhunë nga forcat policore dhe ushtarake serbe për t’u dërguar në luftën me kroatët apo boshnjakët, ndaj e pashë të udhës që për mua ishte më e lehtë të vija në Britani e të kërkoja azil, sesa të përballesha me situatën e atjeshme”, ka treguar Përparim Rama për CNN.
Ai është vlerësuar me disa çmime, ndërsa puna e tij është botuar në disa revista ndërkombëtare të dizajnit përfshirë “London Building Design Magazine”.
Në vitin 2012, ai ka marrë pjesë si këshilltar i veçantë në Lojërat Olimpike. Rama është përzgjedhur dhe si kurator për përfaqësimin e Kosovës në Bienalen e Arkitekturës në Venezia të Italisë.
Rama ka përvojë si mësues në Shkollën e Arkitekturës në Universitetin Nottingham dhe bashkë-mbikëqyr Doktoraturat në Arkitekturën Gjeneruese dhe modelimin e ndërtesës SMART në programin MA dhe PHD në institutin SmartLab Media.
Ai prezantoi në fjalimet e TEDx në Prishtinë dhe Tiranë mbi ndikimin e mjedisit të ndërtuar në sjelljen njerëzore.
Kristale Ivezaj-Rama është gruaja e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama.
Ajo është themeluese e “The Balkan Artists”, i cili është një burim novator i artit me bazë në Londër, galeri pop-up dhe platformë online, e cila promovon dhe mbështet artistët nga rajoni më i gjerë i Ballkanit.
Ivezaj-Rama është gjithashtu nismëtare e “Even Walls Have Ears” – një projekt i pavarur që ndan tregimet e dorës së parë të diktaturës së Shqipërisë nga vitet 1944-1991, që lidh brezat përmes tregimit dhe artit.
Çifti janë prindër të tre fëmijëve: Arrës, Tigrit dhe Bronit. Ata jetojnë familjarisht në Londër.



