Shqipëria ka hapur garën për kryeprokurorin e 10-të, ndërsa nga 1991 ka patur në total 2 gra dhe 7 burra në drejtimin e akuzës. Akuzë e cila në mbi tre dekada ka rezultuar se përballë elitës dhe politikës ka dështuar.
Olsian Çela i cili do duhet të lërë postin e kryeprokurorit rezulton i 9-ti drejtues që kur shqipëria u shkëput nga diktatura.
Në total kanë qenë 7 Kryeprokuror të Përgjithshëm burra dhe dy zonja, mes tyre Ina Rama dhe Arta Marku.
I pari që drejtoi Prokurorinë pas rënies së diktaturës ishte Petrit serjani për ti hapur rrugë një procesi ku s’do të mungonte si beteja politike aq edhe ndikimi i grupeve të interesit apo deri në akuzat e protestat.
Ndërsa dy zonjat Rama dhe Marku rezulton si gratë që u përballën me politikën dhe akuzat sin ë sallën e parlamentit ashtu edhe në politikën e ditës.
Emisioni “FactCheck” në MVN TV sjell një kronologji të drejtimit të këtij institucioni që dikur politika ulej në gjunjë dhe sot duke i hequr çdo kompentencë e ka kthyer në një kancelari shkresash.
• Petrit Serjani – U emërua Prokuror i Përgjithshëm në maj 1991 dhe e përfundoi mandatin në korrik 1992, duke qëndruar rreth 1 vit e 2 muaj në detyrë. Ishte kryeprokurori i parë i Shqipërisë pluraliste. Gjatë mandatit urdhëroi hetime për ish-funksionarët e regjimit komunist, rihapi dosje të rëndësishme si ajo e bombës në ambasadën sovjetike dhe nisi hetimet për depozitat e arit shqiptar në Zvicër.
• Maksim Haxhia – Mori detyrën në korrik/gusht 1992 dhe u shkarkua në nëntor 1992, pas vetëm rreth 3 muajsh në krye të Prokurorisë. Mandati i tij u ndërpre nga Parlamenti me argumentin se nuk kishte vepruar për arrestimin e ish-zyrtarëve të PPSH-së, ndërsa shkarkimi u konsiderua gjerësisht një vendim me motivim politik.
• Alush Dragoshi – U emërua në nëntor 1992 dhe e përfundoi mandatin më 10 gusht 1997, duke qëndruar në detyrë 4 vjet e 9 muaj. Gjatë mandatit drejtoi hetime ndaj drejtuesve të regjimit komunist, arrestimin e ish-kryeministrit Fatos Nano dhe çështje të rëndësishme penale, në një periudhë të tensionuar politike.
• Arben Rakipi – Nisi detyrën në gusht 1997 dhe u shkarkua më 18 mars 2002, pas 4 vjetësh e 7 muajsh në krye të Prokurorisë. Mandati i tij përkoi me periudhën pas krizës së vitit 1997, hetimet ndaj bandave kriminale, dosjen e vrasjes së Azem Hajdarit dhe çështje të rëndësishme të korrupsionit.
• Theodhori Sollaku – U emërua në mars 2003 dhe e përfundoi mandatin në nëntor 2007, duke qëndruar rreth 4 vjet e 8 muaj në detyrë. Gjatë drejtimit të tij u hetuan disa çështje të rëndësishme, ndërsa mandati u shënua edhe nga atentati ku mbeti i vrarë shoferi i eskortës së tij, Genci Sina.
• Ina Rama – U emërua në nëntor 2007 dhe e përfundoi mandatin në nëntor 2012, duke ushtruar detyrën për 5 vjet. Gjatë mandatit u hetuan tragjedia e Gërdecit, ngjarjet e 21 Janarit, video-skandali i Dritan Priftit dhe dosja për ndërtimin e Rrugës së Kombit.
• Adriatik Llalla – Nisi mandatin më 3 dhjetor 2012 dhe e përfundoi më 18 dhjetor 2017, duke qëndruar 5 vjet në krye të Prokurorisë. Mandati i tij u karakterizua nga hetime për korrupsion dhe krim të organizuar, përfshirë çështjet Spiro Ksera, Tom Doshi dhe disa dosje të trafikut të drogës.
• Arta Marku – U zgjodh Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme më 18 dhjetor 2017 dhe e përfundoi detyrën më 19 dhjetor 2019, kur detyrën e mori Olsian Çela. Qëndroi në krye të institucionit për 2 vjet. Mandati i saj përkoi me zbatimin e reformës në drejtësi dhe procesin e vettingut, në një periudhë tranzicioni për sistemin e prokurorisë në Shqipëri.



