
Gjermania do të mbështesë Ukrainën për aq kohë sa të jetë e nevojshme, tha sot kancelari gjerman Olaf Scholz, nëntë muaj pas fillimit të sulmit rus.
“Ukraina mund të mbështetet tek ne që të vazhdojmë t'i ofrojmë ndihmë të gjerë financiare dhe humanitare, si dhe mbështetje me armë për aq kohë sa është e nevojshme”, tha Scholz në një intervistë të botuar sot nga revista gjermane “Focus”.
Gjermania është një nga vendet që ndihmon më shumë Ukrainën. Kjo vlen edhe për dërgimin e armëve, duke përfshirë obusët vetëlëvizës dhe tanket kundër raketave Gepard. Kancelari përmendi gjithashtu raketat dhe sistemin e mbrojtjes ajrore IRIS-T.
Rusia nuk duhet ta fitojë luftën
Scholz nuk parashikoi afat se sa do të zgjasë lufta në Ukrainë, por theksoi se "Rusia nuk duhet ta fitojë këtë luftë". Po ashtu, sipas fjalëve të tij, nuk guxon të ketë përdorim të armëve bërthamore, gjë që është thënë qartë nga bashkësia ndërkombëtare.
I pyetur nëse presidenti rus Vladimir Putin është një kriminel lufte, Scholz tha se "lufta në Ukrainë shkel të gjitha rregullat e ligjit ndërkombëtar dhe Vladimir Putin është përgjegjës për atë luftë".
"Krime të pabesueshme mizore lufte u kryen atje," tha kancelari gjermane, duke shtuar se Gjermania do të ndihmojë në zbardhjen e krimeve.



