GJKKO ka rrëzuar kërkesën e Fredi Belerit për t’u betuar si kryebashkiak i zgjedhur i Himarës. Gazetari Arsen Rusta thotë se në pamundësi të betimit pritet që Belerit t’i hiqet mandati dhe KQZ të shpallë zgjedhjet e parakohshme. Kujtojmë që Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit vendosi masën “arrest me burg” për Fredi Belerin dhe Pandeli Kokaveshin. Këta të fundit u ndaluan pak ditë para zgjedhjeve të 14 majit nën dyshimin për blerje votash. Gazetari Arsen Rusta bën me dije se Beleri "ka kërkuar leje provizore për t’u betuar para Këshillit Bashkiak, i shoqëruar nga policët e burgjeve për t’u rikthyer sërish në qeli. Kjo leje është refuzuar tashmë pasi SPAK thotë se dalja e tij rrezikon provat, e po ashtu hetimin e nisur për korrupsion zgjedhor ndaj Fredi Belerit dhe shtetasve të tjerë. Me këtë vendim të sotëm gjykata ka futur në ngërc atë që quhet politika e Himarës, për shkak se mosbetimi i z.Beleri i pamundëson atij ushtrimin e detyrës së kryebashkiakut. Tashmë pritet që vendimi të marrë formën e prerë, t’u jepet palëve në dorë. Nëse z.Beleri nuk betohet brenda javës automatikisht ai humb mandatin. KQZ shpall paligjshmërinë ose vakancën, dhe do duhen zgjedhjet e parakohshme”.



