Një dokument i datës 9 shtator 2026 ngre pikëpyetje të reja mbi mënyrën se si janë kryer veprimet financiare në kompaninë Soft&Solution, e cila, sipas të dhënave të bëra publike, është nën sekuestro në kuadër të hetimeve të SPAK. Në fokus është një mandat pagese pranë BKT-së, në vlerën prej 60 mijë lekësh të vjetra, që rezulton i firmosur nga Arjola Koromani, pavarësisht se prej muajit prill në kompani është caktuar një administrator tjetër, Dritan Çepa.
Sipas informacionit të bërë publik, SPAK po verifikon dokumentin dhe rrethanat në të cilat është kryer kjo pagesë, ndërsa pyetjet lidhen me mënyrën se si është ushtruar autoriteti financiar në një kompani ku aksesi dhe vendimmarrja janë prekur nga masa e sekuestros.
Teksa SPAK vijon hetimet për aferën që po monitoron dhe veprimet e dyshuara, kemi një situatë të paprecedentë ku një kompani e sekuestruar për llogari të SPAK-ut, e cila administrohet në këtë kuadër, duket se ka një dokument financiar ku figuron firma e Arjola Koromanit, një personi që, sipas administratorit të ri Dritan Çepa, prej muajit prill nuk ka më të drejtë firme. Bëhet fjalë për Soft&Solution, ku prej prillit është vendosur administrator zoti Dritan Çepa, ndërsa gjatë depozitimit të bilanceve dhe veprimeve financiare rezulton se më 9 shtator 2026, pranë BKT-së, një pagesë është firmosur nga Arjola Koromani”, thuhet në informacionin e bërë publik. Dritan Çepa ka dhënë një përgjigje ku thotë se nga 22 prilli Arjola Koromani nuk firmos asnjë shkresë. Por tashmë kemi një dokument që ngre pikëpyetje dhe ndoshta vetë administratori mund të ndihmojë për të kuptuar se si janë kryer këto veprime, si janë dhënë urdhrat dhe mbi çfarë autorizimi janë lëvizur paratë, pasi bëhet fjalë për një kompani që është nën sekuestro si pjesë e një hetimi. Në këtë kuadër, çështja merr rëndësi edhe për shkak të statusit të personave që kanë pasur role drejtuese në kompani. Ermal Beqiri, CEO i SoftSolution, është nën hetim në kuadër të çështjes së lidhur me AKSHI-n, ndërsa edhe Arjola Koromani është përmendur në kuadër të hetimit.
Pyetja kryesore që mbetet për t’u sqaruar është se si është bërë e mundur që një dokument bankar i datës 9 shtator 2026 të mbajë firmën e Koromanit, nëse, siç deklaron administratori, asaj i është hequr e drejta e firmës që në prill.
Bëhet fjalë për një mandat pagese përmes bankës, me vlerë rreth 600 mijë lekë të vjetra, i cili është firmosur më 9 shtator 2026. Administratori Çepa nuk thotë se i ka dhënë autorizim Arjola Koromanit dhe se ajo mund të shkojë në çdo sportel banke e të kryejë veprime fizike; përkundrazi, ai thotë se në prill i është hequr e drejta e firmës. Megjithatë, në shtator ajo rezulton sërish se ka firmosur një dokument financiar. SPAK pritet të verifikojë dokumentin, rrethanat e firmosjes dhe mënyrën se si është autorizuar pagesa. Në vijim të hetimit pritet të sqarohet edhe nëse dokumenti përbën një veprim të autorizuar nga administrimi i kompanisë apo nëse ka pasur një tejkalim të kompetencave të përcaktuara pas vendosjes së sekuestros. Për momentin, mbetet për t’u parë se cili do të jetë shpjegimi zyrtar për pagesën e datës 9 shtator dhe rolin që ka pasur Arjola Koromani në këtë veprim financiar.



