Bota është vetëm një hap larg luftës dhe shkak për këtë është Siria. Aleatët e presidentit sirian Bashar Al Asad, Rusia dhe Irani, duket se nuk kanë ndërmend të rrinë duarkryq pas vendimit të presidentit të SHBA-ve Trump, për të bombarduar bazën ajrore në Siri.
Sipas mediave të huaja këto dy shtete kanë treguar dhëmbët dhe kanë kërcënuar SHBA-të, se do t’i përgjigjen me të njëjtën monedhë, nëse kalojnë sërish, vijën e kuqe.
"Agresioni i Amerikës ndaj Sirisë konsiderohet si kalim i vijës së kuqe. Nga sot e tutje ne do të përgjigjemi me forcë ndaj çdo agresori apo ndonjë tjetër shkelje të vijave të kuqe nga kushdo qoftë. Amerika i di mirë aftësinë tonë për t’iu përgjigjur”,- thuhet në një njoftim për shtyp.
Siç raporton “The Independent”, tre ditë më parë trupat ushtarake amerikane vendosën të hedhin 59 raketa mbi bazat ushtarake sirane nga ku nisën sulmet kimike mbi popullsinë e pafajshme, duke lënë të vrarë 80 persona mes tyre edhe fëmijë.
Menjëherë pasi fotot e fëmijëve të vdekur bënë xhiron e mediave botërore, ishte vetë Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump që dha urdhër të nisjte sulmi ndaj regjimit të Assad dhe lëshoi 59 raketa Tomahawk.
Trump deklaroi se nuk do lejonte më që fëmijë të pafajshëm të vriteshin në këtë mënyrë.



