“21 Janari”, Beci: Të gjendet zinxhiri i urdhërimit të vrasjeve

“21 Janari”, Beci: Të gjendet zinxhiri i urdhërimit të vrasjeve

Ish-prokurori Eugent Beci, në intervistë për “Të Paekspozuarit” në MCN, shpjegon se pas vendimit të Gjykatës së Lartë, SPAK është i detyruar të rihapë dhe të hetojë plotësisht çështjen e Aleks Nikës sipas standardeve të Strasburgut.

Ai thekson se prokuroria duhet të korrigjojë shkeljet e mëparshme, të marrë prova e dëshmi të reja dhe të përcaktojë qartë përgjegjësitë penale, pavarësisht vështirësive që sjellin pasi kanë kaluar 15 vite. Sipas Becit, edhe nëse disa vepra janë parashkruar, hetimi duhet të identifikojë autorët dhe zinxhirin e urdhërimit, pasi vrasja nuk parashkruhet. 

“Gjykata e Lartë urdhëroi prokurorinë e posaçme të regjistrojë kallëzimin e të afërmes së Aleks Nikës, duke u mbështetur te çdo element që ka përcaktuar Gjykata e Strasburgut. SPAK ka dy detyra kryesore tani së pari, të korrigjojë shkeljet e nenit 2 të Konventës së të Drejtave të Njeriut, si në aspektin material ashtu edhe procedural. Do të thotë se duhet të përcaktojë qartë veprat penale, përveç atyre tre që janë regjistruar tashmë: vrasja, shpërdorimi i detyrës dhe veprimet që pengojnë zbulimin e së vërtetës të gjitha të kryera në bashkëpunim. 

SPAK duhet të rregullojë procedurën sipas orientimeve të Strasburgut: të pyesë personat që nuk janë pyetur kurrë, të sigurojë provat materiale që munguan në hetimin e parë dhe të cilësojë saktë faktin juridik për personat konkretë, sidomos zyrtarët e lartë të asaj kohe. Vështirësitë janë të mëdha: kanë kaluar 15 vjet, dëshmitarëve u është zbehur kujtesa dhe provat materiale mund të jenë dëmtuar. Të gjitha këto duhet të rivlerësohen në hetimin e ri.

Prokuroria duhet të rimarrë çdo provë të fiksuar në vendngjarje, të rishikojë ekspertimet balistike dhe, me frymën e teknologjisë së zhvilluar, të verifikojë nëse serveri është dëmtuar qëllimisht apo jo, për të provuar zinxhirin e urdhërimit. Dëshmitarët e rinj ose të papyetur më parë mund të sjellin të dhëna të reja e vështirë, por jo e pamundur.

Sa i përket parashkrimit: vrasja nuk është parashkruar, sepse afati është 30–40 vjet. Shpërdorimi i detyrës dhe pengimi i së vërtetës mund të jenë parashkruar, por kjo nuk e përjashton detyrimin e SPAK-ut për të hetuar dhe për të përcaktuar faktin penal dhe autorët. Vetëm pasi të përcaktohet autori, mund të vendoset pushimi për shkak të parashkrimit.

Nëse dikush del sot dhe pranon se ka fshirë serverin, ai mund të mos dënohet për këtë vepër nëse është parashkruar, por kjo nuk e mbron nga hetimi dhe nuk e mbron nga përgjegjësia për bashkëpunim në vrasje, e cila nuk parashkruhet. Pra, nuk mund të mbyllet hetimi me justifikimin “është parashkruar”. Duhet gjetur kush ka bashkëpunuar, kush ka urdhëruar dhe si është ndihmuar në kryerjen e krimit.

Të shkosh te urdhëruesi është e vështirë në të gjitha vendet, jo vetëm në Shqipëri. Pas kaq vitesh, nuk ka më prova dokumentare ose shkencore; hetimi do të mbështetet kryesisht te dëshmitë, të penduarit dhe metodat e përgjimit për të identifikuar zinxhirin e urdhrit. Nëse zbulohen ekzekutorët, mund të hyhet në marrëveshje me ta për të çuar hetimin te urdhëruesit, sepse kjo është e vetmja mënyrë për të plotësuar të gjithë tablonë e faktit penal, siç kërkojnë Gjykata e Lartë dhe Strasburgu.”

 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy