Kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili ka reaguar pas publikimit të raportit të plotë të OSBE-ODIHR për zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit. Sipas tij, në raport thuhet se zgjedhjet ishin copë-copë, por shton se, një gjë të tillë nuk e sheh vetëm kryeministri i vendit, Edi Rama.
Ndërsa e quan Ramën “shkollëpak”, Vasili thotë se ai nuk di ta lexojë raportin por kënaqet me atë që i sevirin “ustallarët” që e rrethojnë. Deputeti i LSI-së shton se OSBE-ja e ka vulosur të zezën mbi të bardhë, kur thotë se zgjedhjet ishin një turp.
STATUSI I PLOTE
Kryeministri i paaftë të gënjejë, por edhe i paaftë që të kuptojë.
Kryeministri, i paaftë të gënjejë dhe i paaftë të kuptojë, është i kënaqur me zgjedhjet, por raporti i OSBE-ODIHR për zgjedhjet e 25 qershorit 2017 thotë që zgjedhjet ishin copë-copë.
Kryeministri duhet të turpërohet për këto, po dihet që ai s’ka turp, kjo është e vetmja cilësi që ka.
S’ka turp as të gënjejë dhe përpara Parlamentit e të thotë që OSBE ishin të kenaqur me zgjedhjet.
Dihet që shkollëpaku nuk ia thotë hiç të lexojë asgjë dhe me siguri që ndonjë nga këta “ustallarët”, që ia dinë huqin, i zhgarravisin disa fjalë që atij i pëlqen t’i brroçkullisë lart e poshtë.
Zgjedhjet e 25 qershorit ishin një turp që OSBE e vulosi e zeza mbi të bardhë:
“The campaign was characterized by widespread allegations of vote-buying, concerns over abuse of state resources and workplace-related pressures on voters, which further reduced public trust.”
“Fushata u karakterizua nga akuza të shumta të blerjes së votës, shqetësime mbi abuzimet me resurset shtetërore dhe presione për vendin e punës në këmbim të votës. E gjithë kjo uli ndjeshëm besimin e publikut”
“Several OSCE/ODIHR EOM interlocutors expressed concerns that individuals with a criminal past still played significant roles in the campaign, either as candidates or as supporters.”
“Shumë prej vazhguesve të OSBE-ODIHR shprehen shqetësim që individë me precedentë kriminalë kanë luajtur rol të rëndësishëm gjatë fushatës, qoftë si kandidatë, qoftë si mbëshetës.”
Në lidhje me raportin e OSBE-së për zgjedhjet reagoi edhe ish- ministrja e Integrimit Klajda Gjosha.
Gjosha shkruan se në këtë raport gjithçka rrotullohej mes parregullsive dhe rekomandimeve për zgjedhjet, ndërkohë që Edi Rama tregon se këto zgjedhje ishin më të mirat që ka pasur Shqipëria.
Sipas saj pas 27 vitesh demokraci shqiptarët janë ende në përpjekje për të votuar të lirë.
“Fatkeqësisht çfarë do lloj reforme zgjedhore të ndërmarrim ne, do të duhej më parë të ndryshonim mentalitetin politik i cili mendon se paraja mund të blej çdo gjë, se presioni që vjen si koncept diktatorial nuk shkon më ne Shqipërinë evropiane te 2017-tës!”, shkruan Gjosha.



