Gjykata e Tiranës ka dënuar me 30 vite burg të pandehurin Islam Myrtaj, i akuzuar për vrasjen e shokut të tij tek kodrat e Liqenit Artificial. Ngjarja ka ndodhur më 16 mars 2019, teksa viktima Haxhi Baçinozi kishte dalë për ecje bashkë me djalin e tij nga kodrat e liqenit.
Shkak për ngjarjen është bërë një borxh 45 mijë euro, që autori ia kishte marrë viktimës Haxhi Baçinozi.
I pandehuri Islam Myrtaj u dënua për veprën penale “Vrasje me paramendim” dhe “Armëmbajtje pa leje”.
Ndërkohë, gjatë seancës gjyqësore i pandehuri është shfaqur i penduar dhe se ka kërkuar mëshirë nga gjykata.
Vrasja e Baçinozit erdhi pas një konflikti mes dy shokëve, pasi viktima Haxhi Baçinozi i kishte kërkuar Myrtajt t’i kthente borxhin prej 45 mijë euro. I gjendur përballë kësaj kërkese dhe në pamundësi për ta shlyer borxhin, Islam Myrtaj ka ndjekur Baçinozin nga kodrat e liqenit ku e ka qëlluar më pas për vdekje në sy të djalit.



