Një 41-vjeçar ka përfunduar në prangat e policisë pasi kërcënoi me armë zjarri nënën e tij dhe qëlloi në oborrin e banesës.
Shtetasi me inicialet E.K. është larguar menjëherë sapo ka pikasur policinë, por pas ndjekjes nga uniformat blu është lokalizuar në një lokal në fshatin Dushk duke u neutralizuar. Atij iu sekuestrua arma e zjarrit pistoletë me fishekë, që gati për qitje dhe një krëhër me fishekë luftarak.
NJOFTIMI
Kanosi me armë zjarri dhe qëlloi drejt nënës së tij, kapet dhe vihet në pranga 41-vjeçari (i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje). Shpallet në kërkim edhe shoku i tij pasi gjatë kontrollit në banesë ju gjet një armë zjarri pistoletë dhe lëndë narkotike.
Sekuestrohen 2 armë zjarri pistoletë, fishekë luftarak dhe lëndë narkotike cannabis sativa.
Pas marrjes së njoftimit se në fshatin Dushk, një shtetas ka kanosur për të vrarë nënën e tij si edhe ka gjuajtur me armë zjarri në oborrin e banesës, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnje, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje.
41-vjeçari E.K, porsa ka parë shërbimet e Policisë është larguar menjëherë, por pas ndjekjes nga shërbimet e Policisë është lokalizuar në një lokal në fshatin Dushk, Lushnjë, dhe falë ndërhyrjes me profesionalizëm, u bë neutralizimi në kohë i tij dhe sekuestrimi i armës së zjarrit pistoletë me fishekë në fole gati për qitje dhe një krëhër me fishekë luftarak.
Gjithashtu, në vijim të veprimeve hetimore të kryera nga Policia, u ushtrua kontroll në banesën e shtetasit A. Z., me të cilën autori shoqërohej. Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit A. Z., u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë, 46 fishekë luftarak dhe një sasi me lëndë narkotike cannabis sativa e ndarë në 31 doza.
Në përfundim të veprimeve, Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit E. K., 41 vjeç, për veprat penale "Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak" dhe "Kanosja", si edhe shpallën në kërkim dhe po punojnë për kapjen e shtetasit A. Z., 65 vjeç, banues në Dushk, Lushnjë, për veprat penale "Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak" dhe "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve".
Materialet do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, për veprime të mëtejshme



