
Tarifat mund të jenë fjala e preferuar e presidentit amerikan Donald Trump, por për filantropistin dhe investitorin e njohur të Wall Street, Warren Buffett, ato janë të barasvlershme me një akt lufte.
Në një intervistë për CBS News, Buffet theksoi se tarifat prishin tregtinë midis vendeve duke rritur taksat për mallrat e importuara dhe si pasojë këto kosto të reja shpesh kalojnë te konsumatorët përmes çmimeve më të larta.
“Në realitet tarifat, dhe ne kemi pasur shumë përvojë me to janë një akt lufte, në një farë mënyre.”, tha Buffet.
Tarifat e propozuara nga Trump shihen nga shumë ekonomistë më tepër si një armë politike sesa një kornizë efektive për tregtinë ndërkombëtare.
Duke iu përgjigjur komenteve të Buffett, Sekretari amerikan i Tregtisë i përshkroi pikëpamjet e investitorit të njohur si "budallaqe". Në një intervistë për CNN, Howard Lutnick tha se tarifat mund të zëvendësojnë nevojën për tatimin federal mbi të ardhurat, për të cilin ai tha se u krijua gabimisht kur SHBA hynë në Luftën e Parë Botërore.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës para vitit 1913 kishin vetëm tarifa, dhe më pas kur hymë në Luftën e Parë Botërore ne krijuam tatimin federal mbi të ardhurat që është bërë burimi më i madh i të ardhurave të qeverisë”, tha Lutnick.
Megjithatë ekspertët thonë se propozimi për të hequr tatimin federal dhe për të plotësuar të ardhurat e qeverisë me tarifa është ekonomikisht jorealist dhe i mbushur me probleme, pasi ekonomia amerikane e vitit 2020 – një fuqi globale e lidhur thellësisht me tregtinë ndërkombëtare – ka evoluar jashtëzakonisht në shtrirje dhe kompleksitet nga ekonomia amerikane e fundit të viteve 1800 dhe fillimit të viteve 1900.



