Gazetarja Entela Duka në një lidhje për edicionin e lajmeve në MCN TV i konsideroi si kritike orët e fundit në Elbasan, ku kanë qenë 5 vatra aktive zjarri.
Gazetarja raporton se më të prekura janë zonat bujqësore të Bujqësit dhe Jagodinës, duke shtuar se banorët kanë vështirësi në frymëmarrje dhe nuk mund të hapin dyert dhe dritaret për ajrosje. Gazetarja shton se deri më tani s’janë marrë masa konkrete për të këshilluar banorët si të sillen.
“Kanë qenë kritike 26 orët e fundit në Bashkinë e Elbasanit, ku në total kanë qenë 5 vatra aktive zjarri, por më i rëndësishmi që ka marrë përmasa të mëdha është zjarri që u bë aktiv pasditen e djeshme në vendgrumbullimin pranë inceneratorit të Elbasanit. Jam vendosur përtej rrjedhës së lumit Shkumbin, aty ku ndodhet zonat bujqësore të Bujqësit dhe Jagodinës, të cilat rezultojnë më të prekurat si pasojë e shtëllungave të tymit që vijojnë të çlirohen në ajër. Banorët kanë vështirësi në frymëmarrje dhe e kanë të pamundur të hapin dyert apo dritaret e banesave për t’u ajrosur. Më pak i prekur është qyteti i Elbasanit dhe më shumë zona përreth që arrin deri në Bashkinë Cërrik. Sipas bëjnë me dije specialistët e fushës por edhe emergjencat në terren, flakët janë minimizuar, vatra është vënë nën kontroll, por është e vështirë që shtëllungat të stopohen, pasi bëhet fjalë për mbetje plastike, dhe herë pas here ka shpërthime, për shkak të materialeve që gjenden. Shefi i emergjencave tha që situata pritet të përmirësohet gjatë mbrëmjes, nëse s’do kemi intensifikim të erës. Deri në këto momente s’janë marrë masa konkrete, për të këshilluar banorët si duhet të sillen dhe ushqimet që do duhet të konsumojnë”.



