
Abonentët e operatorëve të telefonisë celulare paguajnë për shërbime që nuk i përfitojnë. Pra, nëse një abonent jashtë Tiranës blen paketë me shpejtësi interneti me 4G, për arsye mbulimi shërbimi që ai merr është 2G. Shqetësimi është ngritur në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese, ku kryetari i AKEP-it, Ilir Zela, e ka justifikuar këtë me vështirësinë e dhënies së lejeve të ndërtimit të kullave për mbulim më të mirë me valë.
Në Shqipëri, mbulimi me valë në të gjithë territori nuk është i njëjtë. Abonentët në zonat periferike, të cilat paguajnë për paketat me internet me shpejtësi 4G, shërbimin e marrin për shpejtësi 2G. Shqetësimi për cilësinë e internetit është ngritur nga deputetët në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese. Kryetari i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Ilir Zela, e lidhi këtë mangësi me mungesën e mbulimit të territorit me valë.
"Nëse në disa zona mbeten vetëm shërbimet bazë, siç është telefonia dhe 2G-ja, në zona të tjera janë edhe 3G edhe 4G dhe kur kalon nga 4G në 3G perceptohet një rënie e shpejtësisë së internetit, edhe kur kalon nga 3G në 2G ka përsëri një rënie të internetit, ndërsa cilësia e telefonatës mbetet konsistente. Ajo çfarë ne po bëjmë tani, se kemi nisur një proces verifikimi me operatorët, është që ky nivel i mbulimit me shërbim të jetë konsistent me kushtet e licencave që kanë marrë operatorët", tha Ilir Zela.
Sipas Zelës, ky problem vjen edhe për shkak të vështirësive që kanë operatorët për të marrë leje për ndërtimin e kullave për një mbulim më të mirë
"Nuk më takon të hyj në debat për çështjen e lejeve, ajo që paraqita këtu është shqetësimi që unë marr nga operatorët që nuk arrijnë t'i marrin lejet, dhe mesa di unë, leja e fundit që një operator ka arritur të marrë është e vitit 2016", deklaroi kryetari i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike.
Ndërkohë, sipas kryetarit të AKEP-it, përdorimi në masë i telefonatave me aplikacione ka ulur të ardhurat e kompanive.
Sakaq deputetët kërkuan nga kryetari i AKEP që të marrë masa për operatorët për të lajmëruar abonentët disa ditë para për ndryshimet që mund të bëjë kompania.



