“Imagjinoni kjo që po ndodh në Shqipëri, shkarkimi i ministrit të Brendshëm për ngjarjen në Krujë dhe kërkesa për arrestimin e zv.kryeministrit të ndodhnin në një vend tjetër në Europë, padyshim që Kryeministri do kishte dhënë dorëheqjen”. Një deklaratë e tillë vjen nga deputeti demokrat Edmond Spaho, i cili tha për MCN Live se Kryeministri nuk denjon as të vijë në parlament dhe të japë shpjegime dhe se qëndrimi i gjithë mazhorancës në kor është në mbështetje të kolegëve të tyre dhe gjithë fajin ia adresojnë opozitës. “A thua se opozita e lëshoi atë bandën me shkopa bejsbolli, a thua se te inceneratorët ka vjedhur opozita apo krahu i djathtë i drejtuesit të opozitës. Kokëfortësia për të mos ardhur në parlament dhe për të mos dhënë shpjegime për këto dy ngjarje të rënda bënë që situata të tensionohet dhe të kalohen limitet e normales. Por përgjegjësia është tërësisht politike dhe ligjore e Edi Ramës. Nuk ka mundësia që krahu i tij i djathtë të mund të organizojnë një aferë me përmasa të tilla”. Sipas tij, Edi Rama është totalisht i implikuar dhe se 17 vendime të miratuara në një ditë dhe se vetëm ky fakt do e implikonte Kryeministrin. “Të gjitha kanë qenë të porositura prej tij, organizohet dhe skema për largimin e Ahmetaj, zvarritet në Komisionin e Mandateve kërkesa për arrestimin e tij, që ai të ikë, sikurse dhe iku. Ne si opozitë do vazhdojmë të shprehim qëndrimet tona në parlament dhe nëpërmjet protestave mund të detyrojmë mazhorancën drejt zgjedhjeve të parakohshme. Por kur një mazhorance i mungon morale politik, ngjarjet mundohet ti trajtojë si qesharake. As mos kini dyshim se këtu janë përfshirë dhe të tjerë, si Damian Gjiknuri, keni lexuar dhe në media dhe dosje që ka kryer të njëjtat veprime si Ahmetaj”.



