
Një grua është emëruar në krye të ushtrisë sllovene, duke u bërë kështu e para femër që drejton ushtrinë e një vendi anëtar të NATO-s.
Gjeneral majore Alenka Ermenc, 55 vjeçe, e mori detyrën të mërkurën. Ajo zë vendin e gjeneral major Alan Geder, i cili e mbajti këtë detyrë vetëm 6 muaj, pasi parardhësi i tij u shkarkua nga kreu i ushtrisë për shkak të performancës së dobët në testet e NATO-s.
Presidenti slloven, Borut Pahor, tha se emërimi i gjenerales Ermenc në këtë detyrë do të ndikojë në modernizimin dhe përmirësimin e forcave të armatosura.
Ermenc u gradua gjeneral majore javën e kaluar, duke e bërë kështu gruaja e parë që e mban kët pozitë në vendin e vogël evropian me vetëm dy milionë banorë. Ajo është gjithashtu gruaja e parë që ka udhëhequr një batalion në forcat e armatosura sllovene.
E shkolluar në Mbretërinë e Bashkuar, ajo ka qëndruar në Kosovë për gjashtë muaj si pjesë e një misioni paqeruajtës në vitin 2009. Ajo do të udhëheqë 7 500 trupat e vendit, të cilat gjithashtu përfshijnë rezerva.
Një zyrtar i NATO-s tha për Euronews-it se aleanca "ka kohë që e ka njohur rëndësinë e grave në forcat e armatosura".
"Për NATO-n, pjesëmarrja e barabartë kontribuon në shoqëri më fleksibile, forca më efektive dhe paqe të qëndrueshme. Ne jemi të përkushtuar për integrimin e perspektivës gjinore në organizatën tonë, në misionet dhe operacionet tona", tha gjithashtu zyrtari.
NATO, e krijuar në vitin 1949, është një sistem i mbrojtjes kolektive, ku shtetet anëtare duhet të mbrojnë njëri-tjetrin nëse dikush sulmohet nga një forcë e jashtme.
Aleanca aktualisht ka 29 shtete anëtare me një numër total trupash prej rreth tre milionësh.
Në vitin 2016, gratë përbënin vetëm 10.9% të forcave aleate, dhe ishte përfaqësimi më i lartë që nga viti 1999, sipas një raporti të NATO-s , i publikuar vitin e kaluar, ndërsa përfaqësimi i grave në operacionet e NATO-s llogaritej në vetëm 6.8% në 2015.
Raporti thekson e përparim i dukshëm është bërë vitet e fundit për të hapur mundësinë e karrierës ushtarake për gratë.
Në vitin 2016, 96.3% e vendeve anëtare të NATO-s i kishin të gjitha pozicionet të hapura për gratë në forcat e armatosura - një rritje prej 11.7% në një vit më parë dhe një rritje prej 26% që nga viti 2014.



