Ish-prokurori Gentian Trenova, pohimin e ministrit të Brendshëm Besfort Lamallari se ka dekonspirime të operacioneve nga ana e policisë, e sheh si të rrezikshme.
Duke folur për edicionin e lajmeve në MCN TV, ai tha se duhet ndërhyrje nga ana e qeverisë dhe ministrit të Brendshëm për të ndaluar këtë situatë, për të cilën shtoi se nuk respekton karrierën në Policinë e Shtetit.
Trenova ngriti edhe shqetësimin se grupet kriminale janë rritur në mënyrë të ndjeshme dhe se Shqipërinë e kanë si bazë të siguritë për të depozituar të ardhurat që sigurojnë në mënyrë kriminale, pa pasur kokëçarje se dikush do kontrollojë veprimtarinë e tyre.
Sipas tij, paguhen zyrtarë të Policisë së Shtetit për të ulur nivelin e kontrollit në mënyrë që të mos pengohet aktiviteti i tyre.
Dekonspirimi nga ana e policisë përbën rrezik shumë të qartë se duket sikur efektivët e policisë paradite bëjnë punën me uniformë dhe pasdite bëjnë veprimtari kriminale, bëjnë dy punë. Sa lënë detyrën, lënë uniformën në shtëpi, implikohen në veprimtari kriminale. Kjo është një gjë e vjetër, por kërkon një ndërhyrje më të mirë të qeverisë dhe ministrit të Brendshëm, për të pastruar policinë nga elementë kriminalë. Nuk respektohet karriera e punonjësve të policisë.
Nga ana tjetër grupet kriminale janë rritur në mënyrë të ndjeshme, Shqipërinë e kanë si bazë të siguritë për të depozituar të ardhurat që sigurojnë në mënyrë kriminale, pa pasur kokëçarje se dikush do kontrollojë veprimtarinë e tyre. Mund të paguhen dhe zyrtarë të Policisë së Shtetit për të ulur nivelin e kontrollit. Se ligjet janë të mira, por nuk zbatohen siç duhet. Institucionet shtetërore kanë një vigjilencë të ulët dhe kjo mund të ndodhë pasi krimi i organizuar paguan dhe zyrtarët për të bërë të paditurin.
Kemi investime publike të dukshme në mes të Tiranës, sa kushdo që i shikon habitet se kush janë investitorët dhe autoritetet nuk ndërhyjnë për të hetuar dhe për të parë se sa të ligjshme janë paratë që investohen.
Edhe një person që ka shumë para të grumbulluara me veprimtari të kundraligjshme, kur tenton të investojë në Shqipëri, nuk luan me fatin dhe nëse ai nuk paguan zyrtarët e shëtit dhe deri te ministrat që të ketë rrugën e lirë për të mos pasur pengesa, hetime dhe probleme ligjore, normalisht ai nuk investon.
Sigurisht ai merr një lloj sigurie për të mos u hetuar dhe ndëshkuar. Kjo siguri bëhet duke paguar në formën e korrupsionit.



