
Një shpërthim tritoli ka ndodhur pak para mesnatës së kaluar në Fushë-Krujë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:30 të natës së kaluar në fshatin Larushk Fushë-Krujë.
Mësohet se një sasi eksplozivi prej rreth 100 gr është hedhur në oborrin e përbashkët të banesave të Besim Muçës dhe Ramazan Muçës, i cili është gjyshi nga nëna i 25-vjeçares Xhisiela Maloku.
Nga shpërthimi fatmirësisht nuk ka të lënduar dhe as dëme materiale. Policia ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes. Mësohet se 9 persona janë shoqëruar për t’u marrë në pyetje.
Vetë 25-vjeçarja është shprehur se ndihet e kërcënuar nga opozita.
"U trembëm, unë mendoj se tritolin e ka vendosur opozita. Nuk ndihem e kërcënuar nga ish-i dashuri apo njerëzit e tij. Ndihem e kërcënuar nga opozita që kërkon të përfitojë politikisht nga kjo ngjarje", tha ajo.
Shpërthimi vjen pak ditë pasi në media u publikua dëshmia e Xhisiela Malokut për lidhjen e saj me Rexhep Rrajën, djalin e deputetit të PS-së, Rrahman Rraja.
Maloku tha se shkak i denoncimit ndaj ish-të dashurit për dhunë ka qenë xhelozia pas ndarjes.
Ngjarja doli në dritë fillimisht pas denoncimit të ish-oficerit të policisë së Fushë-Krujës, Emiliano Nuhu, i cili tha se ishte kërcënuar me armë për të mbyllur dosjen e djalit të deputetit të PS-së.
Denoncimi i Nuhut u publikua nga Partia Demokratike, një veprim që maxhoranca e cilësoi inskenim për përfitime politike.



