Persè flamuri kuq e zí,
Sod mâ s' pari, bukurí
Porsì fleta e Engllit t' Zotit,
Po valvitë mbí tokë t' Kastrjotit,
Si valviti dikúr motit;
E dér m'qiellë ushto brohrija,
Kah gerthet fusha e malcija:
Per jetë t' jetës rroftë Shqypníja!
Edhè kshtû, mbas sa mjerimit
Mbas sa gjakut e shemtimit,
E p'r inát t' Shkjevet t' Ballkanit
Per gazep t' atij Sulltanit:
Si premtue kisht' perendija:
Prap zojë m' vedi duel Shqypnija.
Këto vargje i përkasin veprës “Lahuta e Malcís”, e cila konsiderohet si kryevepra e Át Gjergj Fishtës. Vepra, të cilën autori filloi ta shkruante në vitin 1905 duke e përfunduar në vitin 1937 përbëhet nga 30 këngë dhe ka rreth 17.000 vargje dhe është quajtur nga shumë studiues “Iliada” shqiptare, duke u vlerësuar si i vetmi epos kombëtar i letërsisë sonë, madje edhe si epos i Ballkanit.
Sot, kjo vepër, e cila konsiderohet edhe si vepra e parë letrare shqipe, që i përket botës, duke pasur parasysh përkthimet në gjuhë të huaj, për disa përkthyes, studiues apo njerëz të botës së letrave ka nevojë edhe për një lloj përkthimi apo përshtatjeje nga shqipja në shqip.
Në mënyrë që kjo vepër të komunikojë edhe me lexuesit e rinj të shqipes, të cilët ngjan se i janë larguar disi leximit dhe njohjes së veprave klasike, siç është kryevepra e Fishtës, përkthyesi Edmond Tupja hedh idenë e një botimi të ri të “Lahutës së Malcis”.
Por ndërkohë që disa njerëz të letrave e përkrahin një ide të tillë disa të tjerë e kritikojnë me forcë.
Tupja nënvizon se e ka marrë këtë ide i frymëzuar nga realiteti francez, gjë që edhe Mustafaj pohon se ekziston si traditë, ndërsa Shllaku e kundërshton thellësisht një nismë të tillë.
Në përkrahje të kësaj ideje Shllaku sjell veprën e Dante Alighierit dhe shkollën italiane.
Shllaku vijon se një gjë e tillë nuk mund të bëhet madje as me Buzukun, që është një tekst shumë i vjetër, pasi tekstet klasike duhet të futen në origjinal dhe të shoqëruar me aparat filologjik.
Ai thekson se nëse bëhet një veprim i tillë Fishta tjetërsohet poetikisht dhe hapet një hendek zyrtar mes dialekteve, gjë që na kthen në situatën e viteve ’40.
DEBATI PËR GJUHËN
Sipas Shllakut ajo që në fakt duhet bërë është të forcohet mësimi i gjuhës shqipe në shkolla.
Nëse kryhet përshtatja në standard e veprave si Lahuta e Malcis, sipas Shllakut kjo sjell edhe varfëri të gjuhës shqipe.
Ky debat risjell në vëmendje një problem të hershëm: atë të debatit mes dialekteve të shqipes dhe gjuhës standarde.
PËRKTHIMI I KLASIKËVE NË GJUHË TË HUAJA
Ndërkohë që hidhet ideja e përshtatjes në standard e “Lahutës së Malcis”, një nismë me vlerë mund të ishte përkthimi i atyre që cilësohen si vepra klasike të shqipes në gjuhë të huaja.
“Lahuta e Malcís” është një kryevepër, e cila zë vend në radhën e eposeve të mëdha botërore.
Sipas studiuest Robert Elsie, përkthyes i “Lahutës së Malcis” në anglisht, “s’ka lexues që të mos e pëlqejë” këtë vepër.
“Natyrisht, po ta kesh parasysh historinë “politike” të Lahutës dhe të Fishtës, dmth heshtjen më se 50 vjeçare dhe zhdukjen e eposit kombëtar për një periudhë gjysëm shekullore, për rininë e sotme, nuk është e lehtë të lexohet, aq më pak, të interpretohet. Por… “kush asht trim”, do ta lexojë me një frymë, do ta shijojë e do të mahnitet nga bukuria e Verbit të Poetit. Sot ky monument kulturor merr një rëndësi të veçantë jo vetëm për Veriun, por për tërë Shqipërinë. Bëhet shumë më tepër se një vepër letrare”, nënvizon studiuesi Robert Elsie.
Në botimin anglisht të Fishtës, ai e quan “Lahutën…” veprën e parë letrare shqiptare “që i përket botës”, ndërsa ka parasysh edhe përkthimet e saj në gjuhën italiane prej imzot Jul Bonatit e më pas nga Ernest Koliqi e më tej, përkthimin në gjermanisht nga albanologu Maximilian Lambertz.
“Pjesa thelbësore e Lahutës u hartua në fillim të shekullit XX, kurse varianti përfundimtar - nëse ishte tamam përfundimtar - u botua në vitin 1937, me rastin e përvjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Po ta krahasojmë Lahutën me veprat e tjera epike, në veçanti me ato të Evropës, ta zëmë me veprat e Njegoshit malazez, të Mickieviçit polak, të Dantes italian, të Donelaitisit lituanez, të Kamoeshit portugez… shohim se Lahuta e Malcís është shumë e vonë. Por, siç e dimë, Shqipëria e vogël është paksi vonë në çdo gjë, apo jo? Po kjo nuk do të thotë se është më keq”, vijon Elsie, ndërsa thekson se “Lahuta nuk është, as nuk do të jetë kurrë jashtë kohe.”
Përgatiti: Blerina Goce



