
Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell do të takoj sot ndaras kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Borrell takimet e ndara me Kurtin dhe Vuçiçin do t’i zhvilloj në Paris në kuadër të Forumit për Paqe.
Kështu ka bërë të ditur një ditë më parë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano në një postim në Twitter.
Për të vazhduar përpjekjet e BE-së për të ndihmuar Serbinë dhe Kosovën në de-përshkallëzimin, zbutjen e tensioneve aktuale dhe avancimin në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, Josep Borrell do të takoj nesër në Paris, në takime të ndara kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin Aleksandar Vuçiç.
Ndryshe kryeministri, Albin Kurti po merr pjesë në Forumin e Paqes, me ftesë të presidentit francez, Emmanuel Macron.
Ai bashkë me presidenten Osmani kanë pasur një takim me presidentin francez, Emmanuel Macron në Pallatin Elysee.
Kurti ka thënë se me Macronin kanë folur edhe për propozimin franko-gjerman, duke thënë se shërben si bazë e mirë për diskutime të mëtejshme.



