"Balluku", Manja prezanton raportin: Po bëhet gjyq publik, nuk autorizojmë heqjen e imunitetit

"Balluku", Manja prezanton raportin: Po bëhet gjyq publik, nuk autorizojmë heqjen e imunitetit

Deputeti socialist Ulsi Manja në paraqitjen në parlament të raportit rekomandues të Partisë Socialiste, lidhur me kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të deputetes demokrate Belinda Balluku, tha se nuk ekzistojnë kushtet për rëndimin e masës së sigurisë.

 

Ai deklaroi në seancën e sotme parlamentare, se çështje e cila duhet t’i mbetet vetëm drejtësisë, është shndërruar në një proces politik në sytë e qytetarëve shqiptarë dhe në një gjyq publik.

 

Manja shtoi se nga shqyrtimi i materialeve në Këshillin e Mandateve dhe Imunitetit, rezulton se akuza ndaj deputetes Belinda Balluku nuk ka ndryshuar dhe se nuk ka akuzë për korrupsion dhe as për pengim të drejtësisë.

 

Në emër të PS, ai u shpreh se rekomandojnë mosdhënien e autorizimit pasi nuk rezulton të jetë evidentuar domosdoshmëria e një mase të tillë rënduese në raport me ushtrimin e mandatit parlamentar dhe ushtrimin e funksionin e Kuvendit.

 

Ka ndodhur një realitet i ri faktik dhe institucional, i cili e ndryshon tërësisht natyrën e shqyrtimit të kërkesës së SPAK në raport me dhënien e autorizimit për zëvendësimin e masës së sigurimit personal nga ndalimi i daljes jashtë shtetit, me arrest me burg. 

 

Ky fakt ka të bëjë me atë që deputetja në fjalë nuk gëzon më funksione ekzekutive, prej ndryshimeve në qeveri. Për rrjedhojë masa e pezullimit nga detyra si anëtare e Këshillit të Ministrave nuk prodhon asnjë efekt juridik dhe raporti ynë e qartëson dhe narrativën mbi të cilën Prokuroria ka ndërtuar kërkesën për aplikimin e masave më të rënda të sigurimit personal. 

 

Kjo çështje e cila duhet t’i mbetet vetëm drejtësisë, është shndërruar në një proces politik në sytë e qytetarëve shqiptarë. Shpesh kemi parë përpjekje për një gjykim publik duke shkelur parimin themelor të prezumimit të pafajësisë. Sot është e domosdoshme që Kuvendi të flasë shumë qartë, të ndajë politikën nga drejtësia dhe zhurmën nga faktet.

 

Kuvendi sot është përballë një vendimmarrje që prek drejtpërsëdrejti lirinë e një deputeti. Deputetja akuzohet për veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera dhe ankande publike dhe jo akuzë korrupsioni. Kuvendi sot nuk ka kompetencë të gjykojë fajësinë dhe as të zëvendësojë gjykatën. Prokuroria thotë se janë rënduar nevojat e ndryshimit të masës së sigurimit. 

 

Kërkesa për autorizim duhet të shoqërohet me relacion të arsyetuar dhe mbi provat me të cilat bazohet kjo kërkesë. Nga shqyrtimi i materialeve në Këshillin e Mandateve dhe Imunitetit, rezulton se akuza ndaj deputetes Belinda Balluku nuk ka ndryshuar. 

 

Nuk ka akuzë për korrupsion dhe as për pengim të drejtësisë. Nuk ka asnjë ndryshim rrethane. Deputetja ka respektuar plotësisht masën e sigurimit të vendosur nga gjykata.

 

Ne rekomandojmë mosdhënien e këtij autorizimi pasi nuk rezulton të jetë evidentuar domosdoshmëria e një mase të tillë në raport me ushtrimin e mandatit parlamentar dhe ushtrimin e funksionin e Kuvendit.

 

Duke komentuar raportin e opozitës, ai tha se nuk ka dëgjuar në sallën e Kuvendit ndonjëherë raport me të detajuar, të provave, fakteve, të një kërkese të organit të prokurorisë se sa sot nga opozita.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy