
Kina bëhet vendi i parë që njohu talebanët, pasi këta të fundit morën pushtetin në Afganistan. Përtej perspektivave ekonomike që Afganistani nën talebanët i hap “dragoit të Azisë”, arsyet e këtij afrimi të menjëhershëm shkojnë edhe më tej. Në një analizë për Euractive, Jessica Taneja shkruan se pasuritë e Afganistanit dhe pozicioni gjeografik shihen nga Kina si mundësi e mirë për zgjerimin e saj ekonomik.
Mbështetja tregtare kineze për një komb të kontrolluar nga talebanët do t’i japë asaj një ndikim të fuqishëm në rajon. Afganistani ka rezerva të pasura bakri, qymyri, hekuri, gazi, kobalti, merkuri, ari, litiumi dhe toriumi, të cilat vlerësohen në mbi 1 trilion dollarë. Kina nuk do të lërë gur pa lëvizur derisa ta fusë vendin në nismën Belt&Road. Ndërsa talebanët nisin rindërtimin e rajonit, Kina do të sigurojë zhvillimin e infrastrukturës të nevojshme për këtë, duke e futur vendin në borxhe dhe duke marrë nën kontroll pasuritë e tij kryesore.
Arsye tjetër e afrimit të menjëhershëm të Kinës me talebanët, sipas analizës është edhe siguria.
Përveç përfitimeve ekonomike, Kina ka shqetësime serioze të sigurisë në rajon. Rajoni autonom ujgur, Xinjiang, në Kinën veriperëndimore, është përballur me një ringjallje të terrorizmit që depërton përmes korridorit Wakhan, i cili ndodhet në kufirin me Afganistanin.
Analistët kinezë besojnë se ekstremistët dhe grupet terroriste nuk do të hyjnë në tokën e saj nga korridori Wakhan, ata ka të ngjarë të kërcënojnë Kinën përmes vendeve të Azisë Qendrore nëse situata në Afganistan përkeqësohet. Kina dëshiron të pengojë të gjitha përpjekjet që mund të ndihmojnë në avancimin e zgjerimit të Lëvizjes Islamike të Turkestanit Lindor (ETIM), një organizatë separatiste ujgure që kërkon të krijojë një shtet të pavarur. Vitin e kaluar, SHBA e hoqën organizatën ETIM nga lista e terroristëve, duke e lënë Pekinin të shqetësuar dhe të pambrojtur. Kina shqetësohet se vitin e kaluar ETIM mund t’i ketë shtuar burimet logjistike dhe financiare, fuqinë punëtore dhe armatimin. Në takimin e fundit me ministrin e jashtëm Ëang Yi, talebanët siguruan se do të mbështesin Kinën dhe nuk do të lejojnë hyrjen e militantëve ujgurë nga provinca Xinjiang.
Në mbarë botën, Kina është përballur me kritika shkeljen e të drejtave të 1 milion ujgurëve në kampe internimi. Talebanët dhe Pakistani kanë heshtur në këtë pikë dhe kjo e bën të fituar fjysmën e betejës në rajon.
Para pak kohësh, ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, priti nëntë përfaqësues të shquar talebanë për të diskutuar mbi çështjet e paqes dhe sigurisë.
Përkrahja e Kinës për qeverinë e re të talebanëve u konfirmua sot nga Ministria e Jashtme kineze.
"Kina respekton të drejtën e popullit afgan për të përcaktuar në mënyrë të pavarur fatin dhe të ardhmen e tij dhe është e gatshme të vazhdojë të zhvillojë marrëdhënie miqësore dhe bashkëpunuese". Ky është qëndrimi zyrtar i Kinës në lidhje me zhvillimet në Afganistan. Deklarata u bë nga zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Hua Chunying, në një konferencë shtypi. Për më tepër, Pekini "është i gatshëm të luajë një rol konstruktiv në paqen dhe rindërtimin e Afganistanit," shtoi Hua.



