
Autoritetet iraniane të burgjeve kanë bllokuar transferimin në spital të fitueses së çmimit Nobel për Paqe 2023, Narges Mohammadi, e cila ka nevojë për trajtim urgjent, për shkak të refuzimit të saj për të mbajtur hixhabin.
Familja e aktivistes e bëri të ditur këtë fakt përmes një deklarate, duke paralajmëruar se shëndeti i saj ishte në rrezik.
Sipas deklaratës, autoritetet e burgut refuzuan ta transferonin Mohammadi-n, e cila vuan nga problemet e zemrës dhe mushkërive, në një spital jashtë Evin.
Mohammadi, 51 vjeç, aktualisht e ndaluar në burgun Evin të Teheranit, u nderua në tetor "për luftën e saj kundër shtypjes së grave në Iran". Çmimi erdhi në vazhdën e protestave disamujore në të gjithë Iranin, të shkaktuara nga vdekja në burg në shtator 2022 e Mahsa Amini, 22 vjeçe, e cila u arrestua për dyshime se kishte shkelur rregullat strikte të veshjes së grave. Mohammadi më pas njoftoi se nuk do të mbante hixhabin në asnjë rrethanë. “Drejtorja e burgut tha se sipas urdhrave të autoriteteve më të larta, transferimi në spital pa shami është i ndaluar dhe transferimi i saj është anuluar”, tha familja.



