Eksperti i ekonomisë Igli Tola ngre shqetësimin se mungon mbështetja për prodhimin vendas, i cili do të shtonte ekonominë familjare dhe do të ndikonte në zinxhirin ekonomik.
Ai tha për MCN Live se mallrat që do të vijnë nga jashtë do bëhen më të lirë nëse do hiqet barra doganore dhe në këtë mënyrë do e kemi më të vështirë që të kemi prodhime vendase, nëse nuk subvencionohet produkti vendas.
Forcimi i produktit vendas me suport me politikat fiskale dhe subvencionet direkte është në ndihmë të gjithë ekonomisë në tërësi.
Duhet të ketë një raport të qenësishëm cilësi-çmim për prodhimin vendas. Kur vjen fjala te çmimi, kur produktet e huaja vijnë me një çmim më të lirë se kanë subvencionim shumë herë më të lartë.
Nuk zhvillohet turizmi duke tregtuar qumështin italian, por vendas. Subvencioni i fermerëve është i nevojshëm.
Sot për sot produktet e industrisë së përpunimit të qumështin eksportohen në SHBA, i kanë plotësuar certifikimet dhe eksportohen.
Në tregun europian bëhet më e vështirë hyrja, për shkak të mungesës së subvencionimit, pasi çmimi është jo konkurrues.
Në momentin që pretendojmë hapjen e negociatave, do kemi një problem që produktet që vijnë nga Maqedonia dhe Serbia dhe hyjnë në tregun shqiptar, në momentin e dytë kur të mos e ndihmojmë produktin vendas të forcohet, kur të kemi zero barriera doganore, do kemi çmim më të lirë.

Tola tha ndër të tjera se problem mbetet largimi i fuqisë punëtore, çka e vështirëson prodhimin vendas.
Sipas tij, nëse ka prodhim dhe prodhimi nuk shkon te tryezat e shqiptarëve, problemi është te roli rregullator i tregut.
Ai deklaroi se ndikimi i parave informale, pavarësisht burimit të tyre, deformojnë ekonominë dhe duke deformuar ekonominë, kalojnë në paradoks dhe zhvillojnë disa sektorë.
Ne jemi një vend që sot mbahemi nga infrastruktura e ndërtimit. Nuk shihet që të investohen paratë në sektorë prioritarë si bujqësia dhe blegtoria.
Këtë e thotë pozicioni ynë. Ndërtohen kulla të cilat normalisht duhet të kenë aktivitet ekonomik. Të fillohet duke dhënë shembuj pozitiv.
Kemi të dhëna ndërkombëtare që flasin se 40% e produktit tonë burojnë nga të ardhurat informale.
Ekonomia po humbet të gjithë fizionominë e saj dhe nuk po kuptojmë më çfarë vendi jemi.
Po investojmë në ndërtim, duam të zhvillojmë turizmin apo bujqësinë.



