Kryeredaktori i Mcn Tv Leonard Mitro tha në edicionin e lajmeve se punimet e Kuvendit sot na japin të drejtë të mendojmë që mazhoanca, por edhe vendi ka rrëshqitur nga shtrati i një demokracie funksionale.
Mitro vë në dukje se mazhoranca po qeveris kryesisht me “shembullin e forcës” si dhe nuk po zbaton vendimet e Gjykatës Kushtetuese, çka ngre pyetjen nëse po cenohet rendi kushtetues.
Lidhur me çështjen “Beleri”, Mitro thotë se në autoritetet greke besohet në masë të madhe që Rama është arkitekti i skenarit për t’i hequr nga duar bashkinë e Himarës Fredi Belerit. Mitro e konsideroi çështjen “Beleri” një “gozhdë” në raportet Tiranë-Athinë, që do vështirësojë uljen e palëve në tavolinë mbi integrimin, apo për çështje të tjera të rëndësishme
I pyetur mbi zhvillimet e sotme në seancën e Kuvendit, Mitro thotë:
Punimet e Kuvendit sot na japin të drejtë të mendojmë se jo vetëm mazhoranca, por edhe vendi ka rrëshqitur nga shtrati i një demokracie funksionale. Nëse mbani mend në vitin 2013 kur z.Rama, në opozitë asokohe, kërkonte të vinte në pushtet, doli para elektoratit të vet dhe tha që ne do të qeverisim me forcën e shembullit, dhe jo me shembullin e forcës. Situata sot tregoi që mazhoranca po i aplikon të dyja këto parime, me shembullin e forcës kryesisht, duke bllokuar nismën për komisionet hetimore parlamentare, por duke votuar në Parlament projektligje pa kuorumin e nevojshëm, nëse ky pretendim faktohet dhe vërtetohet nga Këshilli i Legjislacionit. Por e kemi akoma më të thjesht për të kuptuar dhe për të shprehur pa rezerva mendimin se vendi ka rrëshqitur në një situatë autokratike, mjafton të kujtojmë që kjo mazhorancë nuk po zbaton vendimet e Gjykatës Kushtetuese, dhe alarmi u dha pak ditë më parë nga vet kryetarja e Gjykatës Kushtetuese. Atëherë deduksioni është i thjesht: Përse një mazhorancë nuk zbaton vendimet e Gjykatës Kushtetuese? Në kushte të tilla a kemi cenim të rendit kushtetues? Çka do të thotë mazhoranca ose s’ka frikë nga zbatimi i ligjit, ose kontrollon edhe sistemet e pavarura, siç është sistemi gjyqësor, apo sistemi i drejtësisë. Edhe votimi i sotëm, edhe çfarë ka të bëjë me përmbajtjen e projektligjeve që u votuan sot në Parlament, janë të lidhura me njëra-tjetrën. Sepse një nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese që nuk është zbatuar nga mazhoranca është pikërisht për dërgimin në Kushtetuese të papajtueshmërisë së mandatit të ish-ministres Olta Xhaçka, e cila figuron si përfituese e ligjit për investimet strategjike, afati i të cilit u shty sot. E gjithë situata e krijuar në Parlament, dhe këmbëngulja e opozitës për të mos lejuar zhvillimin e një seance normale janë pasqyrë e qeverisjes me shembullin e forcës.
I pyetur a është normal nga opozita vazhdimi i skenarit duke bllokuar apo duhet të gjejë rrugë tjetër, Mitro thotë:
Në kushtet kur mazhoranca operon me gjuhën e forcës dhe me shkeljen flagrante të rendit kushtetues, atëherë edhe opozita është në të drejtën e saj legjitime të ushtrojë protestën e saj brenda institucioneve ku shkelen hapur rregullat dhe të drejtat kushtetuese. Shtegu i vetëm pastaj që është më i qenësishmi do të ishte vota. Ai është shtegu kryesor, të cilin opozita e sotme duhet ta shfrytëzojë, që të rrisë besimin në opinionin publik, në mënyrë që të jetë vota që do t’i thotë ‘jo’ nesër një qeverisje anti-kushtetuese, anti-demokratike, me pasoja, me dëme për shoqërinë dhe pas legjitimimit si qeverisje do të shikojmë nëse opozita e sotme do të jetë në premisat dhe kushtet për ta kthyer vendin në shinat demokratike, sepse edhe këtu ka sërish pikëpyetje të mëdha, nisur nga vet situata ku ndodhet opozita aktualisht".
I pyetur se si është lexuar vendimi për dënimin e Fredi Belerit nga autoritetet në Greqi, dhe sa do të ndikojë ai në marrëdhëniet mes dy vendeve, Mitro shprehet:
Është pritur me shqetësim gjithë ajo që ka ndodhur me vendimin e GJKKO, sepse rezulton që gjithë përpjekja diplomatike e një vendi anëtar të BE-së për të sensibilizuar sadopak jo vetëm klasën politike në Shqipëri, por edhe sistemin e drejtësisë për një rast dhe precedent të rrezikshëm që ka të bëjë me shkeljen e të drejtave të njeriut dhe për më tepër me shkeljen e prezumimit të pafajësisë për një kryebashkiak të zgjedhur, e rrit akoma më shumë shqetësimin duke parë që nuk ka patur asnjë reflektim nga të gjitha palët. Sigurisht optimizmi mbetet që në shkallët e tjera të gjyqësorit mund të ketë një vlerësim disi më të drejtë në raport me ato të drejta që lidhen jo me procesin në vetvete, por me të drejtën e prezumimit të pafajësisë. Fatkeqësisht kryeministri shqiptar ka treguar mungesë të theksuar serioziteti në raport me një vend fqinj, anëtar të BE-së dhe partner në NATO, duke vënë në pikëpyetje jo vetëm integrimin e vendit por edhe çështje të tjera që janë prej vitesh pezull mes dy vendeve. Sepse nuk e kuptoj se si dy palët do ulen në tavolinë për të shtyrë përpara axhendën e integrimit me një gozhdë në marrëdhëniet midis dy vendeve, siç është kjo e kryebashkiakut të zgjedhur z.Beleri. Janë përpara çështje akoma më themelore siç është Marrëveshja për Zonat Ekskluzive Ekonomike, për të cilat të dyja vendet kanë rënë dakord për të shkuar në Gjykatën e Hagës, por me sa duket me këto zhvillime që kanë të bëjnë me çështjen Beleri, procesi do shkojë më gjatë se sa ishte parashikuar në një situatë normale.
Besohet në një masë të madhe tashmë edhe nga autoritetet greke që z.Rama është arkitekti i skenarit për t’i hequr nga duar bashkinë e Himarës Fredi Belerit dhe opozitës që e kandidoi. Rama shkel hapur, refuzon hapur të zbatojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, na thotë atë devizën e famshme që ‘ka ligj, por ka edhe Maliq!’ Z.Rama është ‘Maliqi’ i gjithë historisë, jo vetëm në çështjen Beleri, por edhe në çështje të tjera, sepse s’është vetëm çështja ‘Beleri’ që ngre pikëpyetje të mëdha, por edhe vendime të tjera të pazbatuara të Gjykatës Kushtetuese. Në kushte të tilla kur ai shkel hapur vendimet e drejtësisë, pse të mos themi që kontrollon segmente të caktuara të Prokurorisë së Posaçme, por ka në kontroll struktura të Policisë dhe organeve të tjera ligjzbatuese që mund të shërbim të tij për interesa politike, që mesa kemi parë nuk kanë munguar në dialektikën e këtyre marrëdhënieve në Shqipëri”.



