Trekëndëshi i përmbysur shihet gjerësisht në muret e Gazës dhe Bregut Perëndimor, në mediat sociale dhe në demonstratat pro Palestinës.
Bëhet fjalë për trekëndëshat e kuq me kokë poshtë të përdorura tradicionalisht nga brigadat e Hamas ‘Al-Qassam për të treguar objektivat ushtarakë për t’u goditur, të cilat janë bërë simbol i luftës kundër Izraelit.
Së fundmi trekëndëshat kanë filluar të shfaqen edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi ka nga ata që duke demonstruar kundër Izraelit, kanë filluar të përsërisin trekëndëshin e përmbysur me duart e tyre.
Kështu, shqetësimi po rritet për një lëvizje anti-izraelite në SHBA, ku demonstratat po vazhdojnë prej ditësh në kampuset universitare.
Jerusalem Post raporton për rastin e Universitetit të Pensilvanisë, ku frika u rrit pas raportimeve se një djalë formonte një trekëndësh me duart e tij, duke iu drejtuar studentëve hebrenj.
Diskutimet janë ndezur edhe në rrjetet sociale pasi pak ditë më parë një student hebre i universitetit, Eyal Yakoby, postoi në Twitter imazhin në fjalë.
“Po ndodh tani në Universitetin e Pensilvanisë. Një person bën trekëndëshin me kokë poshtë me studentët hebrenj. Nëse nuk e dini, kjo është bërë logoja e Hamasit për shënjestrimin. A është vërtet Universiteti vendi për mbajtjen e një proteste paqësore që nuk është ngacmuese apo është duke frikësuar dikë?”, shkroi Yakoby në X, duke ndezur një debat në mediat sociale.
Lidhja Anti-Defamation (ADL), një organizatë ndërkombëtare joqeveritare hebreje me qendër në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shpjegon në faqen e saj të internetit se trekëndëshi i kuq i përmbysur sinjalizon mbështetje për lëvizjen islamike.
Trekëndëshi tani përdoret edhe si një lloj emoji, i cili në rrjetet sociale ka filluar të shfaqet gjithnjë e më shpesh në postimet pro-palestineze.



